Pushteti nuk ka thënë asnjë fjalë për aktakuzën e madhe që Prokuroria Speciale e ka ngritur për krimet ndaj civilëve shqiptarë në Prekaz, shkruan Gazeta Metro.
As kryeministri në detyrë Albin Kurti, as ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, e as ministrja në detyrë e Drejtësisë Donika Gërvalla-Schwarz nuk kanë reaguar deri tani.
Kjo është pak e çuditshme, sepse bëhet fjalë për një aktakuzë shumë të rëndësishme. Të premten, më 4 shtator 2026, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte të lidhura me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt.
Në mesin e 35 të akuzuarve është edhe Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”, një ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të Serbisë, JSO.
Aktakuza është shumë e gjatë, rreth 140 faqe, dhe është përgatitur nga Prokuroria Speciale, me në krye kryeprokurorin Blerim Isufaj dhe prokurorin e rastit Valdet Gashi.
Për këtë punë, Prokuroria Speciale është vlerësuar edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, ndërsa drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, gjithashtu e ka konsideruar një zhvillim të rëndësishëm.
Por, përkundër rëndësisë së rastit, nga krerët e shtetit nuk ka pasur reagim.
Albin Kurti në të kaluarën ka folur shumë për vonesën e drejtësisë për urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve të luftës. Ai ka thënë se drejtësia është vonuar sepse ende nuk ka filluar. Tash, kur është ngritur aktakuza e parë zyrtare për këtë rast, ai deri tani nuk ka reaguar.
Edhe Albulena Haxhiu, si u.d. e presidentes, nuk ka bërë ndonjë reagim për aktakuzën.
Njësoj edhe Donika Gërvalla-Schwarz, ministrja në detyrë e Drejtësisë, nuk ka thënë asgjë për këtë rast.
Çka thotë në fakt aktakuza?
Sipas Prokurorisë Speciale, kjo aktakuzë është një hap shumë i madh drejt zbardhjes së krimeve të luftës në Prekaz. Për herë të parë, në një proces zyrtar ligjor, janë paraqitur detaje për urdhrat, organizimin dhe zinxhirin komandues të strukturave të shtetit serb që lidhen me sulmin ndaj lagjes Jasharaj në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Prokuroria thotë se janë vrarë 26 civilë. Bëhet fjalë për fëmijë, gra dhe persona të moshuar, pra njerëz që nuk ishin luftëtarë dhe ishin të pambrojtur.
Sipas detajeve të bëra publike nga prokurori i rastit, Valdet Gashi, dhe kryeprokurori Blerim Isufaj, dosja dëshmon këto pika rrëqethëse dhe kyçe lidhur me krimet ndaj civilëve.
Vrasja e qëllimshme e 26 civilëve: Hetimet e mbështetura nga dëshmi personale dhe prova materiale konfirmojnë vrasjen e 26 personave civilë. Prokuroria sqaroi se ky numër specifik përfshin ekskluzivisht fëmijë, gra dhe të moshuar të pambrojtur.
Viktima më e re – vetëm 5 vjeç: Aktakuza dokumenton me saktësi moshën e viktimave, ku ndër më të prekurit ishin fëmijët, duke specifikuar se viktima më e re e ekzekutuar ishte një fëmijë pesë vjeçare.
Marrja e pengjeve dhe tortura: Përveç vrasjeve, dokumenti ligjor vërteton se forcat speciale serbe kanë marrë peng civilë brenda shtëpive të tyre në lagjen e Jasharajve. Këta banorë të pafajshëm u nënshtruan formash të ndryshme të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik
Sulm i paramenduar me arsenal të rëndë: Kryeprokurori Isufaj deklaroi se ngjarjet nuk ishin një incident spontan, por u kryen “me paramendim” dhe “përgatitje të plotë paraprake”. Janë identifikuar pozicionet e sakta të forcave serbe, planet e rrethimit dhe arsenali ushtarak i rëndë i përdorur mbi infrastrukturën civile
Roli i Milorad Ulemek “Legija”: Dosja e ngarkon drejtpërdrejt komandantin famëkeq të Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO), “Legija”, si udhëheqësin e njësisë në terren që mori përsipër sulmin e drejtpërdrejtë dhe asgjësimin brenda shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.
Faza e vëzhgimit: Provat tregojnë se lagjja e Jasharajve kishte qenë nën vëzhgim të rreptë e të pandërprerë nga strukturat serbe që nga janari i vitit 1998, duke dëshmuar qëllimin e pastër shtetëror për eliminim./gazetametro.net