Kujtimi i luftës çlirimtare dhe mbështetja për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në proces gjyqësor në Hagë do të bëjnë bashkë qytetarët në një aksion simbolik gjithëpopullor, shkruan Gazeta Metro.
Flakadanët e lirisë do të marrin flakë fillimisht në Likoc, vendi historik ku funksionoi Shtabi i Përgjithshëm për të vazhduar me Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.
Aktiviteti “Zjarri i Lirisë” organizohet për të nderuar sakrificën e rënëve dhe si një mesazh i fuqishëm solidariteti me ish-drejtuesit e shtabit dhe luftës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Me këtë rast, ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Kosova që t’i bashkohen këtij tubimi nderimi.
“Sonte në Gllogjan, nga ora 19:00, do të bashkohemi për ndezjen e flakadanit të lirisë në kujtim të sakrificës dhe në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që i presim me datën 16 shtator”, shkroi Haradinaj.
Ndezja e zjarreve simbolike do të shtrihet paralelisht në të shtatë zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lidhur historinë e rezistencës me mbështetjen për drejtuesit e saj që gjenden në Hagë.