Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, hodhi dyshime se përplasjet politike brenda partisë mund të kenë ndikuar në qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së që nuk e kanë mbështetur marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidimin e Bekim Sejdiut për president, përcjell Gazeta Metro.
Në një intervistë për KosovaPress, Guri e ka cilësuar si të paqartë pozicionimin e deputetëve në fjalë, duke iu referuar edhe takimeve të mëhershme të grupit parlamentar. Sipas tij, në diskutimet paraprake kishte ekzistuar dakordim për të gjetur një figurë që do të mund të merrte mbështetje më të gjerë.
Ai ka përmendur mundësinë që mosmarrëveshjet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të kenë ndikuar në këtë situatë, por ka theksuar se bëhet fjalë për një vlerësim të tij dhe se arsyet e sakta i dinë deputetët që kanë kundërshtuar marrëveshjen.
“Unë konsideroj që mund të jetë edhe arsyeja edhe zotëri Abdixhiku, betejat me zotëri Abdixhiku, ato që nuk po arrijnë me i gjetë një mbështetje për zotëri Sejdiu. Mirëpo, kjo është veç një hamendësim i imi, për arsye se këtë e dinë më së miri deputetët që kanë dalë kundër kësaj marrëveshjeje, mirëpo prapë po e them që është shumë e paqartë, duke pasur parasysh diskutimet që janë mbajtur në mbledhjen e parafundit. Ku ne të gjithë kemi qenë dakord që të gjendet një emër për një president konsensual edhe vendit t’i ofrojmë institucione, pastaj nuk mendoj që duhet ne si politikanë, si deputetë, si anëtarë të kryesisë, që unë mendoj që duhet t’i tejkalojmë hatërmbetjet, duhet t’i tejkalojmë inatet, nëse mund t’i quajmë inate, kur është në pyetje interesi i Kosovës. Pasi që ne tash e dimë që Kosova nuk ka institucione tash e një kohë të gjatë”, tha ai.
Duke komentuar kandidaturën e Bekim Sejdiut dhe marrëveshjen e arritur me Vetëvendosjen, Guri ka vlerësuar se rezultati i negociatave ka qenë më i mirë nga sa kishin pritur në LDK.
Ai ka folur edhe për informacionet që, sipas tij, janë prezantuar gjatë mbledhjeve të kryesisë rreth prejardhjes dhe lidhjeve të Sejdiut me LDK-në, përfshirë angazhimin politik të familjes së tij dhe raportet e tij me figura të kësaj partie.
“Ne nuk e kemi paramenduar që mundemi me arrit një marrëveshje kaq të mirë. Me një emër i cili, dorën në zemër, jam më i riu aty në moshë, edhe nuk është që kam pasur shumë njohuri rreth veprimtarisë së Bekim Sejdiut. Mirëpo, kur kam marrë pjesë në mbledhje të kryesisë, secili anëtar i kryesisë së LDK-së, kur i kam dëgjuar, domethënë, Anton Qunin duke treguar eksperienca personale me Bekim Sejdiun, me djalin e axhës së Bekim Sejdiut, i cili ka qenë ushtar nën komandat e Xhafer Gashit në betejat e Koshares, kur e kam dëgjuar kontributin që babai i Bekim Sejdiut ka qenë kryetari i nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, ka qenë tre herë radhazi shef i shtabit zgjedhor të degës në Klinë babai i Bekim Sejdiut, kur kam dëgjuar që Bekim Sejdiu pastaj ka qenë i propozuar i Fatmir Sejdiut në atë kohë kur ka qenë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës si ambasador në Ankara, kur kam dëgjuar që, domethënë, ai ishte në një farë mënyre pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shtoi ai./gazetametro.net