NJË FJALI NË DEKLARATËN PËR AGASIN/ Detaji që tregon se Policia e Shtetit ka fituar besimin e BKH dhe çfarë pritet nga trekëndëshi Braho-Keta-Hitaj

 

“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit”


Kjo fjali e gjendur mes rreshtave të deklaratës zyrtare që SPAK i komunikoi mediave pas arrestimit të Ergys Agasit, duhet lexuar me rëndësinë që meriton.
Kjo nuk është një fjali që është shkruar rastësisht. As nuk është shkruar se nuk kanë patur me çfarë të mbushin rreshtat e deklaratës.
Kjo fjali do të thotë shumë. Kjo fjali fakton atë që prej vitesh është përfolur.
Byroja Kombëtare e Hetimit NUK ka patur besim tek Policia e Shtetit për operacionet që zhvillonin pas hetimeve të tyre. Shpeshhere ku me zë të lartë e ku me aludime është akuzuar policia e shtetit që drejtohej nga Ilir Proda si “shitëse” me lek në dorë të aksioneve që pasonin hetimet e SPAK dhe BKH.

Çfarë ndodhi që ndryshoi perceptimi?

Ardhja e Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit, solli si pasojë shporrjen e metastazave të kriminalizuara që Ilir Proda i kishte emëruar në sektor kyç në Drejtorinë e Përgjithshme si dhe në ato rajonale.
Dhe me shporrjen e kriminelucëve që Proda la si trashëgimi në Policinë e Shtetit, i erdhi mundësia e elementëve të pa inkriminuar dhe të devotshëm ndaj ligjit dhe jo ndaj krimit, që të thonë fjalën e tyre.
Dhe fjala që sot po thonë është pa folur fare. Thjesht duke zbatuar ligjin dhe duke vepruar.

Zgjidhja e ngërçit SPAK-BKH-Polici e Shtetit

Që prej themelimit të organeve të reja të hetimit, siç është SPAK dhe BKH ka patur probleme serioze në funksionim. Prokurorët e SPAK nuk kishin koordinim aspak me hetuesit e BKH e ndërkohë këtë të fundit e “shiste” policia e shtetit kur niseshin për ndonjë aksion.
Gjithshka duket se ndryshoi kur kupolat drejtuese u ndërruan. Dhe sot ajo që shihet nga kushdo është fakti se prokurorët e SPAK që I drejton Klodian Braho kanë një koordinim të thellë me hetuesit e BKH që i drejton Joni Keta dhe policia e Skendër Hitës është një partnere e pakompromisë.
Ky falenderim publik që SPAK i bëri Policisë së Shtetit na bën të besojmë se më në fund, SPAK-BKH dhe Policia e Shtetit po funksionojnë si një orë zvicerane me akrepa të kundërt nga krimi që ka mbërthyer vendin.

 

Deklarata e plotë e SPAK për arrestimin e Ergys Agasit

Mbi arrestimin e personit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi
Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply