Aktualitet

Poliçani lajmëron protestë/ Këshilli bashkiak paralajmëron dorëheqje, tubimi zhvendoset para Kuvendit!

Poliçani vazhdon protestën kundër reformës administrative-territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Poliçan. Kjo çështje ka bërë bashkë Këshillin Bashkiak, që unanimisht ka marrë vendimin për t’u dorëhequr, së bashku me kandidatën pasardhës në listë, nëse vendoset bashkimi i Poliçanit me Beratin. Këshilli Bashkiak i Poliçanit u ka bërë gjithashtu thirrje 15 bashkive të tjera, të cilat sipas tyre rrezikojnë të preken nga reforma e re administrative, t’i bashkohen protestës, e cila pritet të vijojë përpara Parlamentit Shqiptar.

“Jemi kundër një reforme që kërkohet të bëhet me nxitim, brenda pak muajsh, ndërkohë që pasojat e saj mund të zgjasin me dekada. Kjo reformë rrezikon të ulë zërin, vëmendjen dhe mundësinë që ky komunitet të kërkojë atë që i takon”, tha një anëtar i Këshillit.

Sipas përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak, reforma do të sillte humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës të administratës, shërbimeve dhe sektorëve të tjerë. Njëkohësisht, sipas tyre, një vendim i tillë do të zhvlerësonte vlerën e pronave dhe do të ndikonte negativisht në të ardhmen e qytetit.

Sipas protestuesve, sot ishte parashikuar që deputetët të takonin dhe të dëgjonin zërin e banorëve të Poliçanit, por, sipas tyre, asnjë prej tyre nuk u paraqit në qytet, ndërkohë që deputetët zhvilluan takime në tre bashki të tjera të qarkut.

“Besa është vota jonë, zoti Kryeministër. Ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh. Ju bëjmë ftesë të vini dhe të uleni me popullin e Poliçanit, të dëgjoni zërin e qytetarëve. Ashtu siç keni thënë, zoti Kryeministër, ku jeni sot?”, u shpreh një protestues.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.