Migracioni është një temë e ndjeshme: frika nga migrimi i pakontrolluar dominon debatin publik. Shumë njerëz harrojnë se dikur edhe miliona gjermanë emigruan në kërkim të një jete më të mirë.
“Ata po vijnë me turma dhe nuk do ta pranojnë kurrë gjuhën apo zakonet tona… Së shpejti do të na tejkalojnë në numër… dhe madje edhe qeveria jonë do të tronditet.”
Mund të mendohet se këto fjalë përçmuese për refugjatët dhe azilkërkuesit vijnë nga radhët e partisë populiste të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë). Por ata që këtu akuzohen rëndë si njerëz që refuzojnë integrimin janë gjermanët. Këtë gjykim të ashpër në shekullin e 18-të e dha Benjamin Franklin, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara. Ai ishte gjithashtu një nga autorët e Deklaratës së Pavarësisë, ku thuhet se: “… të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Krijuesi i tyre u ka dhënë disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.”
Drejt Botës së Re
Pikërisht ky kërkim për lumturi dhe një jetë më të mirë ka shtyrë përgjatë shekujve njerëz të panumërt t’i kthejnë shpinën vendlindjes së tyre. Arratisja nga lufta, shtypja politike dhe diskriminimi për shkak të fesë, prejardhjes apo orientimit seksual i ka detyruar njerëzit të largohen, ashtu si edhe katastrofat natyrore, varfëria dhe mungesa e perspektivës.
“Prandajmigracioni nuk është aspak një fenomen modern, por një gjendje normale e ekzistencës njerëzore”, pohon historiani dhe studiuesi i migracionit Jochen Oltmer. Që nga koha kur njeriu modern anatomikisht u largua nga Afrika rreth 100.000 deri në 120.000 vjet më parë dhe u përhap në të gjithë botën, migracioni ka qenë pjesë e historisë së njerëzimit.
Numri i gjermanëve që emigruan në Amerikë gjatë kohës së Franklin-it ishte ende i kufizuar. Deri në vitin 1820 bëhej fjalë për vetëm 150.000 persona. Shpesh ata tërhiqeshin nga bashkatdhetarë që tregonin histori të supozuara suksesi dhe vlerësonin pasurinë e fituar shpejt. Ajo që shumica nuk e dinte ishte se këta rekrutues merrnin shpërblim për çdo emigrant që bindnin.Sot do të flisnim për kontrabandistë njerëzish, të cilët u premtojnë emigrantëve të mundshëm mrekulli. Edhe udhëtimet e rrezikshme me varka të mbingarkuara kujtojnë kohët e hershme.
“Kalimi me një anije me vela kushtonte afërsisht sa paga vjetore e një zanatçiu”, shpjegon Simone Blaschka nga Muzeu Gjerman i Emigracionit në Bremerhaven. “Për ta përballuar këtë, familjet duhej të shisnin të gjithë pasurinë e tyre.”
Një udhëtim drejt së panjohurës
Shumica nuk e imagjinonte se çfarë i priste gjatë udhëtimit shumëmujor. Nën kuvertë, njerëzit rrinin të grumbulluar në hapësira shumë të ngushta, të torturuar nga pleshtat, insektet dhe minjtë. Ushqimi përbëhej kryesisht nga biskota të forta detare, mish i kripur dhe qull i prishur, të shoqëruar me ujë të ndenjur e shpesh të ndotur.Shumë persona sëmureshin nga dizenteria, tifoja, lia dhe skorbuti. Në librin e tij “Udhëtim në Pensilvani në vitin 1750”, mësuesi dhe organisti Gottlieb Mittelberger përshkroi përvojat e tij:
“Shumë njerëz qajnë, psherëtijnë dhe bërtasin me mall për atdheun e tyre. Pastaj shumicën e pushton mallëngjimi për shtëpinë dhe në këtë mjerim qindra njerëz vdesin dhe hidhen në det.”