
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur situatën e angazhimit të Forcave të Armatosura në disa prej zonave të prekura nga zjarret në vend.
Efektivët vijojnë punën në terren, ndërsa në disa zona ndërhyrja po bëhet edhe nga ajri me helikopterë.
Në qarkun Fier, në fshatin Drizë-Radostinë, janë angazhuar 55 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Si pasojë e situatës, 10 familje janë evakuuar nga zona e rrezikuar.
Në Njësinë Administrative Ungrej, në bashkinë Lezhë, operacioni vijon me 80 efektivë të FA dhe një helikopter të Forcës Ajrore.
Në Qinam të Zall-Herrit janë angazhuar pesë automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Sipas ministrit Nufi, zjarri në këtë zonë konsiderohet i fikur.
Ndërkohë, në Dajt vijon angazhimi me 30 efektivë dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Në Mallunxë të Matit janë vendosur 30 efektivë dhe një automjet zjarrfikës, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Forcat e Armatosura vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri dhe të mbështesin operacionet në zonat ku situata nga zjarret kërkon ndërhyrje. Ministria e Mbrojtjes ka raportuar më herët se strukturat e emergjencave civile po punojnë në mënyrë të koordinuar për menaxhimin e vatrave në territor.



