Aplikacion
Luan Muça ka vendosur të reagojë publikisht për përplasjen me biznesmenin Vasil Bedinaj, për një konflikt mbi një tokë në Palasë.
Në një deklaratë të gjatë drejtuar mediave, pronari i “Delta Group” jep versionin e tij për konfliktin me pronarin e hotelit “Rexhina” dhe tregon se si nisi përplasja për pronën dhe investimit të tij në Palasë.
Sipas Muçës, historia e investimit nis në vitin 2019.
Ai thotë se gjatë kësaj periudhe ka blerë nga pronarë vendas rreth 97 mijë metra katrorë tokë, duke pretenduar se në disa raste është detyruar ta blejë të njëjtën tokë edhe më shumë se një herë.
Në vitin 2021, sipas deklaratës së tij, ai ka marrë statusin e investitorit strategjik mbi bazën e një projekti të hartuar nga studioja ndërkombëtare EEA – Emre Arolat Architecture.
Një vit më vonë ka aplikuar për lejen e fazës së parë të ndërtimit të një hoteli me brand ndërkombëtar, në një sipërfaqe prej rreth 26 mijë metrash katrorë.
Në vitin 2024, Muça thotë se ka zbardhur lejen dhe ka nisur punimet. Dhe pikërisht në këtë pikë, sipas versionit të tij, nis problemi.
Muça pretendon se ka mësuar krejt rastësisht se në tokën mbi të cilën pretendon se kishte investuar dhe kishte marrë statusin e investitorit strategjik, ishte dhënë një tjetër leje, nga AZHT. Jo vetëm kaq. Sipas tij, projekti tjetër po reklamohej publikisht dhe në treg po ofroheshin njësi, apartamente dhe vila.
Ai thotë se iu drejtua Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, AZHT, për të kërkuar informacion. Sipas deklaratës së Muçës, nga AZHT iu tha se do të verifikoheshin dokumentet e të dyja palëve dhe se deri në përfundim të verifikimit nuk do të bëhej zbardhja e lejes së ndërtimit.
Muça thotë se rreth një orë pas komunikimit me AZHT-në është telefonuar nga Vasil Bedinaj. Me këtë deklaratë ai nënkupton se Bedinaj është informuar pa vonesë nga AZHT për ankesën e tij, çka ngre dyshime të forta të lidhjes së këtij institucioni me Vasil Bedinaj.
Sipas tij, Bedinaj i kërkoi të mos i ekspozonte në AZHT pretendimet e tij mbi pronën. Më pas, sipas deklaratës, ai e ftoi të takoheshin në Orikum, në hotelin e Bedinajt, për të diskutuar situatën.
Muça tregon gjithashtu se e kishte njohur më parë Bedinajn, pasi ky i fundit ishte paraqitur në kantierin ku ai po ndërtonte në Palasë, duke kërkuar të diskutonte për disa pretendime mbi kufirin e pronës.
Muça pretendon se kur ka shkuar në takim, Bedinaj nuk kishte qenë vetëm, por ishte shoqëruar nga një numër personash të armatosur. Ndërsa ai vetë thotë se shkoi i shoqëruar nga familjarët e tij.
Sipas versionit të Muçës, takimi në Orikum nisi në tavolinë, por situata u tensionua menjëherë pasi ai filloi të shpjegonte pretendimet e tij për pronën. Ai pretendon se Bedinaj e tensionoi situatën përmes sharjeve dhe ofendimeve. Muça thotë se Bedinaj thirri persona të armatosur që, sipas tij, ndodheshin në pjesë të ndryshme të ambientit.
“Në këtë moment, situata ka degraduar dhe unë kam kuptuar se z. Bedinaj nuk më kishte thirrur për t’u sqaruar, por për të prodhuar skandalin e tij të radhës”, shkruan Muça.
Ai thotë se për këtë arsye është ngritur dhe është larguar. “Dhe pikërisht në momentin kur po dilte nga ambientet, personat e thirrur prej Bedinajt kanë qëlluar me armë ndaj tyre”, -pretendon ai.
Për këtë arsye, Muça i kërkon Policisë së Shtetit të identifikojë dhe të zbardhë rolin e personave që, sipas tij, kanë qëlluar me armë dhe ngre dyshime për rolin e policies, duke thënë se vetëm policia dhe disa media të komanduara nga Bedinaj i besuan versionit të pronarit të “Rexhina” dhe videove që ai i ka shpërndarë jo të plota, me qëllim për të fajësuar atë.
Ai akuzon Bedinajn se, ndërkohë që situata po zhvillohej, kishte mundur të menaxhonte edhe versionin mediatik të ngjarjes.
Sipas Muçës, në media u përhapën pretendime se ai kishte vendosur gjobë ndaj Bedinajt, ndërsa pamjet filmike u publikuan nga kënde të caktuara, për të manipuluar të vërtetën.
REAGIMI I PLOTË I MUÇËS
Pershendetje,
Ne lidhje me ngjarjen e fundit ku kam qene i perfshire dua te jap kete deklarate per mediat.
Kam heshtur deri tani, sepse në pozitën ku kam qenë e kam pasur të pamundur të flas dhe mendoj se publiku ka të drejtën ta dëgjojë të vërtetën drejtpërdrejt nga unë.
Që prej vitit 2019, kam vendosur të ndërmarr një investim në zonën e Palasës. Gjatë kësaj kohe, kam blerë në Palasë, nga shumë pronarë vendas, 97.000 m² tokë. Jam detyruar që, gjatë kësaj periudhe, pjesën më të madhe të tokës ta blej edhe nga dy herë.
Më datë 15.07.2021, kam aplikuar dhe kam marrë statusin e investitorit strategjik, mbështetur mbi një projekt të hartuar nga studioja ndërkombëtare EEA (Emre Arolat Architecture).
Në vitin 2022, mbi një pjesë të kësaj sipërfaqeje (26.000 m²), kam aplikuar për lejen e fazës së parë të ndërtimit të një hoteli me brand ndërkombëtar, me 5 yje.
Në vitin 2024, kam zbardhur lejen dhe kam filluar punimet për ndërtimin e këtij hoteli me brand ndërkombëtar.
Po në vitin 2024, kam bërë aplikim për fazën e dytë të këtij projekti.
Në mënyrë rastësore, nga rrjetet sociale, kam parë se ishte dhënë një leje në tokën që unë kam blerë dhe mbi të cilën ishte dhënë statusi i investitorit, sipas masterplanit të EEA Studio. Madje, po reklamohej për shitjen e njësive, apartamenteve apo vilave të ndryshme.
Pas kësaj, i jam drejtuar AZHT-së për të marrë më shumë informacion rreth kësaj çështjeje. Pas komunikimit që pata, më njoftuan se do të verifikoheshin të gjitha dokumentet e palëve dhe se, deri në momentin e përfundimit të verifikimit të dokumenteve, nuk do të kishte zbardhje të lejes së ndërtimit.
Pas rreth një ore, jam telefonuar nga shtetasi Vasil Bedinaj, i cili më kërkoi të mos i ekspozoja në AZHT pretendimet e mia mbi pronën time. Gjatë kësaj telefonate, u vendos që të takoheshim në Orikum, te hoteli i z. Bedinaj, për të diskutuar rreth kësaj situate. (Z. Bedinaj e kam njohur rreth një vit më parë, pasi ishte paraqitur në kantierin ku unë po ndërtoj në Palasë, duke kërkuar takim me mua në lidhje me disa pretendime që kishte për kufirin e pronës. Kur shkova atje, z. Bedinaj nuk ishte vetëm, por ishte i shoqëruar nga një numër i madh njerëzish të armatosur.)
Kështu, i shoqëruar nga familjarë të mi, kam shkuar, me ftesën e tij, në ambientet e biznesit të tij.
Pasi jemi takuar në Orikum dhe jemi ulur në tavolinë, sapo kam nisur t’i shpjegoj pretendimet e mia, z. Bedinaj e ka tensionuar situatën me pretendimet e veta, duke sharë dhe ofenduar.
Edhe pse nga kamerat që z. Bedinaj i ka servirur opinionit publik kjo nuk duket qartë, në këtë moment ai thirri njerëz të armatosur, të cilët ishin të pozicionuar në vende të ndryshme të ambienteve të tij.
Në këtë moment, situata ka degraduar dhe unë kam kuptuar se z. Bedinaj nuk më kishte thirrur për t’u sqaruar, por për të prodhuar skandalin e tij të radhës. Për këtë arsye, jam ngritur dhe kam ikur.
Duke dalë nga ambientet e z. Bedinaj, njerëzit që ai thirri qëlluan me armë ndaj nesh. Për sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e plotë të grupit të qitësve.
Jam çuditur shumë që, gjatë kësaj situate, z. Bedinaj kishte qetësinë dhe përkujdesjen që, në të gjitha mediat mbi të cilat kishte ndikim, të shpërndante lajme të rreme, sipas të cilave unë i kisha vendosur gjobë, si dhe të shpërndante pamjet filmike nga këndet që ai dëshironte.
Kam mësuar këto ditë se nuk është hera e parë që z. Bedinaj manipulon opinionin publik për përplasjet e tij. Këtë gjë ka tentuar ta bëjë edhe në rastin tim.
Çuditërisht dhe paradoksalisht, të vetmit që e kanë besuar këtë gjë kanë qenë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët më kanë mbajtur të ndaluar për 72 ore me akuzën e gjobëvënies ndaj z. Bedinaj.
Unë nuk mund të flas për veten time, pasi nuk e kam bërë kurrë më parë, sepse kam besuar se për njerëzit flasin punët dhe veprat e tyre.
Besoj se opinioni publik është i njohur me punët, brandet dhe kompanitë që kemi krijuar brenda dhe jashtë vendit.
Modestisht, mund të them se jam krijues dhe zhvillues i një konglomerati kompanish që operojnë në 4 kontinente, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Indinë, si dhe vende si Italia,Senegali, Tunizia, Egjipti dhe, sigurisht, Ballkani, me një qarkullim vjetor multimilionësh.
Në këtë kontekst, fantazia e gjobës ndaj një personi me pantallona të shkurtra, i cili rrihet çdo vit me ndonjë turist, polic apo plazhist, është një fantazi dashakeqe e një grupi personash që mendojnë se, duke vjedhur pronat e të tjerëve, mund të bësh edhe para, të dalësh edhe burrë i mirë dhe të quhesh biznesmen.
Në fund, jam i gatshëm t’i vendos në dispozicion opinionit publik dhe mediave çdo dokument për të cilin kam shkruar në këtë reagim.
Luan Muca