Aplikacion
Me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi për herë të parë për publikun një ekspozitë me dokumente dhe materiale arkivore që hedhin dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e saj, përfshirë vizitën e nobelistes në Tiranë në gusht të vitit 1989.
Ekspozita u çel në Auditorin e Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në një aktivitet ku morën pjesë ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, përfaqësuesja e trupit diplomatik të Maqedonisë së Veriut, Radmila Stojmirovska, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, si dhe të misionit bamirës “Motrat e Nënë Terezës”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Durmishi e cilësoi ekspozitën një nismë të rëndësishme për të kujtuar dhe nxjerrë mësime nga angazhimi humanitar i Nënë Terezës.
Ai vlerësoi veçanërisht prezantimin e fotografive dhe dokumenteve origjinale që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e saj.
“Duke nderuar Nënë Terezën, nderojmë veprën e saj humaniste dhe vlerat, me të cilat u bë simbol dhe inspirim”, u shpreh Durmishi, duke theksuar edhe lidhjen e shenjtores me Kosovën dhe origjinën e saj shqiptare.
Përfaqësuesja e ambasadës së Maqedonisë së Veriut, Radmila Stojmirovska, theksoi se figura e Nënë Terezës i përket mbarë njerëzimit, përtej kufijve të Shkupit, Shqipërisë apo Indisë.
“Historia e saj, pra, krijon një urë të jashtëzakonshme njerëzore dhe kulturore nga Shkupi, përmes trashëgimisë së saj shqiptare, drejt Indisë, dhe sot, këtu në Tiranë”, u shpreh përfaqësuesja e ambasadës maqedonase.
Mes materialeve origjinale ishin artikuj të shtypit për vizitën e Nënë Terezës në Tiranë, procesverbali i takimit me Ramiz Alinë më 4 dhjetor 1990, një letër drejtuar tij, dokumente për familjen Bojaxhiu dhe të dhëna civile për Nënë Terezën. Në ekspozitë u paraqit edhe një dorëshkrim në shqip i vitit 1979, drejtuar popullit shqiptar.
Të pranishmit u njohën edhe me një instalacion që pasqyronte rrugëtimin e Nënë Terezës nga Shkupi deri në Kalkutë, aty ku ndërroi jetë më 5 shtator 1997.