zoom

Aktualitet

Përplasja me armë mes biznesmenëve, kush janë 10 personat në kërkim! Mes tyre ish-deputeti dhe 2 policë ushtarakë (Emrat)

Përplasja me armë mes biznesmenëve, kush janë 10 personat në kërkim! Mes tyre ish-deputeti dhe 2 policë ushtarakë (Emrat)

10 persona janë shpallur në kërkim nga policia në kuadër të hetimeve për konfliktin mes pronarit të kompanisë “Delta”, Luan Mucës, dhe biznesmenit Vasil Bedinaj, i lidhur me rrjetin e hoteleve “Regina”.

Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Bujar Muca, vëllai i Luan Mucës. Ai ishte zgjedhur deputet nën siglën e PDIU-së, por hoqi dorë nga mandati para se të betohej në Kuvend.

Në listën e personave të kërkuar janë edhe Edison Zalla, Serxhio Cani, Rei Degjoni, Renato Kodra, Klej Doci, Arjan Doda, Marjos Ramosacoj, Altin Grori dhe Fatjon Maknori. Dy të fundit janë efektivë të Policisë Ushtarake.

Ndërkohë, Luan Muca dhe vëllezërit Mandrit e Klaudio Lleshaj janë arrestuar, pasi dyshohen për përfshirje në një rast të pretenduar gjobëvënieje. Në pranga ka përfunduar edhe Blerim Heta.

I arrestuar është gjithashtu Angjelo Breshani, shoferi i Vasil Bedinajt, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të grupit të Mucës, teksa këta të fundit po largoheshin nga resorti “Regina”.

Pas të shtënave, policia është vënë në ndjekje të automjetit me të cilin udhëtonte Muca. Gjatë ndjekjes, makina është aksidentuar dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur Luan Muca dhe një prej personave që ndodhej me të.

Në lidhje me konfliktin, Vasil Bedinaj pretendon se Luan Muca i kishte kërkuar 5 milionë euro. Muca e mohon këtë version dhe deklaron se përplasja mes tyre lidhet me një çështje pronësie.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për të sqaruar përgjegjësitë penale që mund të dalin gjatë procedimit.

Postime të lidhura