zoom

Lajme

219 lekë litri! Nafta ndez protestën në Tiranë, ja sa më shtrenjtë paguajmë se fqinjët

219 lekë litri! Nafta ndez protestën në Tiranë, ja sa më shtrenjtë paguajmë se fqinjët

TIRANË – Çmimi i karburanteve po kthehet sërish në një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë. Në një kohë kur çmimet e naftës dhe benzinës në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar luhatje të forta, Shqipëria vijon të ketë një barrë të konsiderueshme mbi konsumatorin, veçanërisht në krahasim me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Nga Zoom.al

Në Shqipëri nafta po shitet me 219 lekë për litër në këtë fillim shtatori. Në Tiranë, për shkak të kësaj rritjeje, kompanitë që operojnë autobusët urbanë u detyruan t’i reduktojnë me 20-30% linjat e tyre.

Realiteti bëhet dramatik kur çmimet e kraburanteve në vendin tonë i krahasojmë me vendet fqinje. 

Shqipëria përballë Kosovës

Të dhënat e fundit të datës 5 shtator për Kosovën tregojnë një çmim mesatar prej rreth 1.49 euro për litër për naftën dhe 1.33 euro për litër për benzinën.

Me një çmim prej 219 lekësh për litër në Tiranë dhe një kurs rreth 92 lekë për euro, nafta në Shqipëri rezulton rreth 2.38 euro për litër.

Kjo do të thotë se diferenca me Kosovën është afërsisht 0.89 euro për litër.

Për një automjet me serbator 50 litra, diferenca mund të shkojë në rreth 44.5 euro për një mbushje të plotë.

Për shumë qytetarë që jetojnë pranë kufirit, në zonën e Kukësit apo Tropojës, është shumë më me leverdi të kalosh kufirin për të mbushur serbatorin.

Maqedonia e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, çmimet janë të rregulluara dhe ndryshojnë në bazë të vendimeve periodike të Komisionit Rregullator të Energjetikës. Nga 1 shtatori 2026, çmimi maksimal i Eurosuper BS-95 është 94 denarë/litër, ndërsa Eurodiesel është 95 denarë/litër.

Me kursin aktual të këmbimit, këto çmime përkthehen në rreth 1.52–1.54 euro për litër.

Edhe këtu diferenca me Shqipërinë është e ndjeshme.

Ndërkohë, çmimi maqedonas i naftës ka pësuar një ulje prej 6.50 denarësh krahasuar me vendimin e mëparshëm, ndërsa benzina BS-95 u rrit me vetëm 1 denar.

Mali i Zi ndërhyn me taksat për të frenuar rritjen

Edhe Mali i Zi po përballet me presionin e çmimeve ndërkombëtare, por qeveria ka ndërhyrë në strukturën fiskale të karburanteve.

Nga 1 shtatori, çmimi maksimal është për benzinën është 1.74 euro/litër dhë për naftën është 1.87 euro/litër.

Çmimi i naftës mbeti i pandryshuar, ndërsa benzina u ul. Qeveria malazeze ka përdorur edhe uljen e akcizës si instrument për të zbutur efektin e rritjes ndërkombëtare.

Kjo është pikërisht pika ku debati për Shqipërinë bëhet politik: a duhet të ndërhyjë shteti më shumë për të amortizuar goditjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve?

Po përse në Shqipëri çmimet janë kaq të larta dhe përse shteti nuk ndërhyn me taksa dhe akciza për ta zbutur atë? Një pjesë e përgjigjes lidhet me tregun ndërkombëtar. Çmimi i naftës bruto Brent është rritur sërish dhe më 4 shtator arriti rreth 96.28 dollarë për fuçi, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme kanë rritur edhe kostot e rafinimit. 

Por qytetari shqiptar nuk paguan vetëm naftën bruto. Në çmimin final hyjnë akciza, TVSH-ja, kostot e importit, transporti, magazinimi dhe marzhet e tregtimit. Me mbajtjen e çmimit në këto nivele nuk fitojnë vetëm grosistët, por edhe vetë shteti përmes akcizës dhe TVSH-së. Sa më i lartë është çmimi, aq më i lartë është fitimi nga TVSH. 

Problemi nuk është vetëm te serbatori i makinës. Nafta është pjesë e kostos së transportit të mallrave, ushqimeve, bujqësisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Kur transportuesi paguan më shumë për karburantin, kostoja përfundimtare përfundon te konsumatori.

Në Tiranë ndikimi është edhe më i drejtpërdrejtë. Operatorët e transportit publik kanë paralajmëruar prej javësh se çmimi i lartë i karburantit po e bën gjithnjë e më të vështirë funksionimin e linjave. Në 1 shtator, flota e autobusëve u reduktua me 20–30%, ndërsa nafta në kryeqytet tregtohet në rreth 219 lekë për litër.

Shtrenjtimi i jetesës, përfshirë këtu edhe çmimin e karburanteve, është një prej arsyeve përse në Tiranë qytetarët po protestojnë prej 100 ditësh. Protestat shpërthyen fillimisht për të kundështuar resortin turistik të Jared Kushner në Zvërnec, por kostoja e jetesës është një nga alementët që ushqen pakënaqësinë sociale. 

Kur qytetarët shohin se në Kosovë nafta kushton rreth 1.49 euro, në Maqedoninë e Veriut rreth 1.53 euro, ndërsa në Tiranë paguan rreth 2.38 euro për litër, revolta bëhet e pashmangshme. 

Postime të lidhura