zoom

In Zoom

Konfliti për tokën në Palasë, si i dhanë AZHT e KKT leje Vasil Bedinajt mbi pronën me dy AMTP të Luan Muçës dhe manovra e Ramës për të fshirë gjurmët

Konfliti për tokën në Palasë, si i dhanë AZHT e KKT leje Vasil Bedinajt mbi pronën me dy AMTP të Luan Muçës dhe manovra e Ramës për të fshirë gjurmët

Përplasja e dhunshme në ambientet e resortit “Regina Palm” në Radhimë mes grupit të Luan Muçës dhe të Vasil Bedinajte ka burimin në disa vendime të institucioneve shtetërore, AZHT, KKT dhe Kadastra. 

Për të kuptuar thelbin e konfliktit të armatosur mjafton përgjigjja e një pyetje të thjeshtë: Si arriti Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) e drejtuar nga Adelajda Roka dhe Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, të miratonin leje ndërtimi për një projekt me vlerë dhjetëra miliona euro mbi një truall të mbivendosur, të pretenduar nga dy palë që e kishin përfituar atë me AMTP (Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi) nga bashkia e Himarës?

Neni 39 i Ligjit për Planifikimin e Territorit përcakton qartë se asnjë leje zhvillimi apo ndërtimi nuk mund të kalojë pa një certifikatë pronësie të pastruar nga çdo barrë, mbivendosje apo konflikt ligjor. 

Por dhënia e lejes së resorit mbi këtë pronë që ishte në konflikt ngre dyshime mbi një mekanizëm manipulimesh e shkeljesh të kryera me qëllim që dosja të kalonte filtrat shtetërorë për të legalizuar projektin mbi tokën që biznesmeni Luan Muça pretendon se e kishte paguar dy herë.

Sipas burimeve të njohura me dosjen, ndërhyrja e parë dyshohet se ka ndodhur në Kadastër, ku në kartelat e pasurisë ka të dhëna se janë hequr ose fshehur shënimet kufizuese për mbivendosje të AMTP-ve. 

Në sistemin qendror të AZHT-së dosja ka mbërritur e shoqëruar me një gen-plan dhe certifikatë të nënshkruar nga zyrtarë të Kadastrës, ku trualli paraqitej si pasuri unike dhe e patrazuar ligjërisht. Por burime të besueshme thanë për Zoom.al se AZHT është vënë në dijeni nga përfaqësues të kompanisë së Luan Muçës se mbi këtë pronë ka mbivendosje. Megjithatë, AZHT dhe KKT kanë vijuar me dhënien e lejes, duke mos kërkuar një verifikim të thelluar të dokumentacionit. 

Një tjetër element që ngre dyshime të forta lidhet me zhvendosjen gjeodezike të parcelave. Skema e përdorur rëndom në bregdetin e jugut konsiston në marrjen e AMTP-ve të vjetra për toka joproduktive ose kodrinore dhe “teleportimin” e tyre drejt vijës bregdetare përmes ndryshimit të koordinatave në hartat dixhitale.

Në rastin konkret, dyshimet janë se AMTP-ja e futur në lojë nga grupi i Vasil Bedinajt është zhvendosur artificialisht mbi parcelën e pozicionuar pranë kompleksit ekzistues të “Deltës” së Luan Muçës, duke u mbivendosur mbi sipërfaqen e siguruar më parë nga Muça. Në disa media janë hedhur dyshime se këto zhvendosje janë bërë me ndërhyrjen e Ergys Agasit, por deri tani këto pretendime nuk janë verifikuar. Përmes këtij operacioni hartografik, në AZHT dhe KKT janë paraqitur koordinata që në dukje nuk preknin kufijtë ekzistues të regjistruar, por që në terren përplaseshin direkt me investimin e palës tjetër.

Pavarësisht alarmeve të vazhdueshme dhe denoncimeve të pretenduesve, AZHT e KKT e miratuan lejen e zhvillimit. Kjo formë vendimmarrjeje miraton konceptin volumetrik dhe koeficientin e ndërtimit, duke e lënë përgjegjësinë e verifikimit përfundimtar të pronësisë për fazën e dytë, atë të marrjes së lejes përfundimtare të ndërtimit.

Kjo manovër administrative i mundësoi Bedinajt të kishte në dorë vendimin e KKT-së, i cili u përdor menjëherë për marketing në media dhe për të legjitimuar ndërtimin e kompleksit. 

Përballë lejes së zhvillimit, çdo pretendim pronësie i mëparshëm u zhvlerësua faktikisht, duke krijuar bindjen te pala tjetër se institucionet po favorizonin haptazi njërin grup.

Lexo edhe:

Teksa mediat po e zbërthejnë këto skemë me shpejtësi, Edi Rama nxitoi sot të ndërhynte duke e anuluar projektin. Në një dalje në rrjetet sociale ai tha se “në tokën e sherrjanës do të ndërtohej një ullishte publike”. 
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën  e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme dhe sipas ligjit, ta kthejmë në një asset publik dhe turistik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut si dhe do të eskpozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri” – deklaroi Rama. 

Disa ekspertë të kontaktuar nga Zoom.al e konsideruan këtë vendim të Ramës si një përpjekje të mundshme për të fshirë gjurmët e vendimeve të KKT dhe AZHT. Por kjo manovër, sipas tyre, nuk do t’i japë zgjidhje përfundimtare konfliktit. Madje mund ta thellojë më tej. Nëse do të shpronësohet, është e paqartë se kush do t’i marrë paratë e shpronësimit, Bedinaj apo Muça, pasi të dy kanë dokumenta pronësie me AMTP. Dhe po ashtu, kush do t’i paguajë paratë e shpenzuara deri tani për marrjen e lejes apo për artikektët që kanë bërë projektin, të cilat shkojnë në disa miliona euro? 

Gjithësesi, cilido të jetë fati i pronës së konfliktit, procedurat e ndjekura nga institucionet shtetërore do të duhet të hetohen. SPAK ka në dorë zinxhirin e plotë shkresor, që nga lëshimi i AMTP-ve në Himarë, te ndryshimi i koordinatave në Kadastër, e deri te firmat përfundimtare në AZHT e KKT që sollën përshkallëzimin e armatosur në Radhimë. /Zoom.al

Postime të lidhura