zoom

Aktualitet

“Po na digjet shtëpia!” – Zjarri del jashtë kontrollit në Fier, flakët avancojnë drejt fshatit

“Po na digjet shtëpia!” – Zjarri del jashtë kontrollit në Fier, flakët avancojnë drejt fshatit

Situatë alarmante në zonën e Fierit, ku zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka kaluar aksin nacional Fier-Levan, duke avancuar në drejtim të fshatit Peshtan i Vogël. Banorët janë përfshirë nga paniku, ndërsa flakët kanë nisur të kërcënojnë banesat.

Era e fortë që ka përfshirë zonën po favorizon përhapjen e mëtejshme të vatrës, duke e bërë ndërhyrjen gjithnjë e më të vështirë. Përballë rrezikut, banorët u kanë bërë thirrje autoriteteve për ndihmë të menjëhershme.

Frika është veçanërisht e madhe për familjet që jetojnë pranë zonës së përfshirë nga zjarri, pasi flakët po afrohen drejt banesave.

Një prej banoreve, e cila ndodhet në një prej shtëpive të rrezikuara, ka rrëfyer momentet e panikut dhe vështirësinë për t’u larguar nga banesa.

“Nga t’ia mbaj? Në shtëpi me vete zjarri, këtej i kam njerëzit e mi, por janë larg. Jemi dhe të sëmurë. Djalin e kam të sëmurë, të paralizuar. Shyqyr na ndodhën këta djemtë na nxorën. Shtëpia është shumë e rrezikuar”, shprehet ajo.

Ndërkohë, situata në zonë vijon të mbetet kritike. Zjarri ka prekur edhe zona pranë Qafës së Koshovicës, ndërsa më herët flakët kanë shkaktuar probleme me qarkullimin në aksin Fier-Levan.

Përhapja e shpejtë e zjarrit dhe kushtet e favorshme atmosferike kanë shtuar rrezikun për banorët dhe pronat që ndodhen pranë vatrave të zjarrit.

Banorët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës./ Zoom.al

Postime të lidhura