Aplikacion
Një sërë mediash online janë mbushur ditët e fundit me tituj bombastikë që përshkruajnë një gati magjik në punët e bashkisë së Tiranës, pasi Erion Veliaj shkarkoi nga detyra e të komanduarës, nënkryetaren Anuela Ristani.
Shoqëruar me foto nga pastrime në Bregun e Lumit apo nëpër qytet, titujt kanë ngjashmëri si të kenë dalë nga e njëjta dorë, të tillë si “pas marrjes së kompetencave nga Veliaj, nis aksioni…” ose “ pas marrjes së kompetencave të Veliajt, punonjësit e pastrimit në terren…”.

Kjo fushatë propagandistike përkon me disa hapa ligjorë që po ndërmerr Veliaj. Më 10 shtator, sipas avokatëve të tij, vendimet e gjykatave shqiptare do të apelohen në Strasburg, në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut.
Më 15 shtator, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt. Njësoj si në disa raste të tjera, në prag të vendimeve të gjykatave shqiptare, nga kampi i Veliajt janë përhapur thashethemnaja të tipit “Lali do të dalë nga burgu”. E njëjta erë po fryn edhe këto ditë të para të shtatorit. E bashkë me të, portalet pranë tij po përgatisin terrenin se me Veliajn në krye të bashkisë, punët ecin më mirë.
Në të vërtetë, Tirana kishte nisur të mbulohej nga zhuli që në fillim të mandatit të tretë të Veliajt në Bashki. Rrugët nuk pastroheshin, larja mungonte tërësisht, përveç zonës qendrës, policia bashkiake po bën te spektatorin përpara shkeljeve të dukshme nëpër qytet, ndërsa administrata e bashkisë vetëm fryhej me numër punonjësisht të ardhur nga partia apo nga rrethet shoqërore pranë kryebashkiakut e njeëzve të tij.
Bashkia degjeneroi deri në atë pikë, saqë drejtorët kryesorë të saj hapën kompani të tyren për të marrë tenderat e bashkisë.
Me lëvizjet e fundit, me largimin e Ristanit dhe disa drejtorëve që kanë në dorë lejet e ndërtimit dhe rikthimin në detyrë të Andi Dokushit në postin e sekretarit të përgjithshëm, Veliaj duket sikur po tenton të përçojë mesazhin se ai do të rikthehet shumë shpejt edhe vetë në detyrë. Shansi i tij i vetëm është Gjykata e Lartë, e cila drejtohet nga një prej njerëzve të tij më të afërt, Sokol Sadushi. Një vendim pro i saj thjesht do të lehtësojë Veliajn, por jo Tiranën, që është e mbytur si nga pisllëku, ashtu edhe nga ndërtimet, të cilat, në kohën e Veliajt kanë pasur volumin më të madh që ka njohur kryeqyteti. /Zoom.al