zoom

Lajme

Pse hesht opozita për skandalin e pronës në Palasë, që përplasi me armë biznesmenët Bedinaj e Muça?

Pse hesht opozita për skandalin e pronës në Palasë, që përplasi me armë biznesmenët Bedinaj e Muça?

Opozita ka zgjedhur të heshtë përballë skandalit më të fundit që ka mbërthyer qeverinë e Edi Ramës, i cili shpërtheu publikisht pas përplasjes me armë mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça në Vlorë. 

Problemi real në këtë çështje nuk lidhet thjesht me sherrin fizik mes palëve, por me mekanizmin flagrant se si Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miratuan në shkelje të ligjit një leje ndërtimi për një resort gjigant prej mbi 130 mijë metrash katrorë në vijën bregdetare të Palasës.

Siç ka raportuar më parë Zoom.al, leja e zhvillimit i është dhënë Vasil Bedinajt mbi një sipërfaqe për të cilën ai nuk dispononte certifikatë pronësie, por vetëm një Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). 

Legjislacioni në fuqi e përcakton qartë se asnjë institucion shtetëror nuk mund të miratojë leje zhvillimi apo ndërtimi mbi një pronë që nuk disponon certifikatë përfundimtare pronësie, e aq më pak mbi pasuri që paraqesin mbivendosje kufijsh dhe konflikte të hapura ligjore. Pavarësisht këtyre ndalimeve taksative, KKT dhe AZHT nuk ngurruan të firmosnin dokumentet zyrtare që i hapnin rrugë betonizimit të territorit.

Lexo edhe:

I gjendur në vështirësi përballë fakteve të bëra publike, kryeministri Edi Rama reagoi duke deklaruar se qeveria do ta shpronësojë tokën në fjalë. Siç ka evidentuar Zoom.al, kjo lëvizje ngjan më shumë me një tentativë për të fshirë gjurmët e vendimmarrjes së paligjshme të institucioneve qendrore sesa me një zgjidhje ligjore. Për më tepër, kë do të shpronësojë qeveria dhe kujt do t’ia paguajë paratë publike, Bedinajt apo Muçës, për sa kohë të dy pretendojnë të njëjtën pronë mbi bazën e AMTP-ve paralele?

Përballë kësaj afere të re, opozita është e vetmja që vijon të heshtë. Në vend që të ngrinte zërin me fakte dhe t’u kërkonte me forcë institucioneve të drejtësisë, posaçërisht SPAK-ut dhe Prokurorisë së Vlorës, që të hetojnë zinxhirin e zyrtarëve që firmosën këtë leje, selia blu ka zgjedhur të bëjë sikur nuk sheh. I vetmi reagim erdhi nga deputetja Jorida Tabaku përmes një qëndrimi në rrjetet sociale dhe jo si një denoncim i strukturuar politik nga Partia Demokratike. Të gjithë të tjerët kyçën gojën dhe bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar lajmin kryesor të ditës në Shqipëri.

Ky rast përbën një nga skandalet më domethënëse të mënyrës se si tregtohen lejet e ndërtimit dhe si trajtohet prona publike në bregdetin e jugut. Heshtja e lidershipit të opozitës vetëm sa e kompromenton atë rëndë përpara opinionit publik, duke i dhënë plotësisht të drejtë dhe besueshmëri zërave të protestës tremujore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sipas të cilëve, kur vjen puna te ndarja e tokave dhe interesat e mëdha të ndërtimit, qeveria dhe opozita funksionojnë bashkë. /Zoom.al

Postime të lidhura