Aplikacion
Përplasja e një dite më parë në hotelin “Regina” në Radhimë ka sjellë pasoja për dy efektivë të Policisë Ushtarake, që janë pezulluar nga detyra. Vendimi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka sqaruar se efektivët nuk ndodheshin në shërbim në momentin e ngjarjes.
Ngjarja lidhet me konfliktin mes dy biznesmenëve, Bujar Muçës dhe Vasil Bedinajt.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar se dy efektivët janë pjesë e Policisë Ushtarake prej vitit 2006. Sipas tij, ata kanë kryer në periudha të ndryshme, që prej vitit 2018, edhe detyra që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe shoqërimin institucional të ministrit.
Megjithatë, Ministria thekson se kjo nuk do të thotë se ata kanë qenë punonjës personalë të ministrit apo se veprimet e tyre individuale mund të lidhen me institucionin.
“Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.”
Sipas reagimit zyrtar, asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e përplasjes në Vlorë. Për këtë arsye, çdo përfshirje e tyre, nëse konfirmohet nga autoritetet, do të konsiderohet veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se është distancuar nga çdo veprim të paligjshëm dhe se përgjegjësia do të përcaktohet në përfundim të verifikimeve.
Një nga çështjet që mbetet për t’u sqaruar është nëse dy efektivët kanë qenë mes personave të armatosur që, sipas raportimeve për ngjarjen, rrethuan biznesmenin Vasil Bedinaj në hotelin “Regina”.
Deri në këtë fazë, kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Hetimi pritet të përcaktojë rolin konkret të secilit prej personave të pranishëm dhe nëse dy efektivët kanë pasur ndonjë përfshirje në konflikt./ Zoom.al