zoom

Lajme

Përplasja Bedinaj – Muça në Vlorë, si nisi sherri për tokat në Palasë dhe ku çalon versioni i policisë për “gjobën 5 milionë euro”

Përplasja Bedinaj – Muça në Vlorë, si nisi sherri për tokat në Palasë dhe ku çalon versioni i policisë për “gjobën 5 milionë euro”

Përplasja fizike dhe me armë e regjistruar në ambientet e resortit “Regina Palm” mes biznesmenit të ndërtimit Luan Muça dhe hotelierit e ndërtuesit Vasil Bedinaj nuk qe një sherr i çastit. 

Ajo i ka rrënjët në një konflikt të thellë që zgjatet prej disa kohësh për pronësinë e një sipërfaqe të madhe toke në vijën më të lakmuar të bregdetit të jugut: në Palasë.

Policia e Vlorës doli me një njoftim të nxituar, duke e klasifikuar ngjarjen si tentativë gjobëvënieje prej 5 milionë eurosh. Por të dhënat e siguruara nga Zoom.al tregojnë një tjetër skenar, në të cilin kryqëzohen toka të blera dy apo tre herë, dyshime për zhvendosje koordinatash kadastrale dhe leje zhvillimi të miratuara mbi sipërfaqe me mbivendosje të thella ligjore.

Në thelb të konfliktit qëndron një parcelë strategjike në Palasë, e piketuar për ndërtimin e një resorti me vila dhe hotele me vlerë dhjetëra miliona euro.

Sipas të dhënave, biznesmeni Luan Muça, pronar i grupit “Delta” kishte blerë fillimisht sipërfaqen në fjalë përmes Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), duke u pajisur me vërtetim pronësie nga Kadastra. 

Për shkak të problematikave tipike të zonës, mbi të njëjtën parcelë dolën pretendues të tjerë lokalë me dokumente paralele. Muça zgjodhi rrugën e negociatave dhe e pagoi truallin për herë të dytë te banorët pretendues, me qëllim pastrimin e plotë të titullit për të kërkuar leje zhvillimi.

Por skenari u ndërlikua kur në lojë hyri Vasil Bedinaj. Ky i fundit bleu një sipërfaqe kufitare dhe, sipas të dhënave që ka siguruar Zoom.al, një pjesë e konsiderueshme e parcelës ishte brenda vetë pronës që Muça e konsideronte të blerë dy herë prej tij.

Përtej blerjes, dyshohet se përmes ndërhyrjeve në hipotekë dhe zhvendosjes artificiale të koordinatave nga kodra drejt sheshit më të favorshëm në breg, Bedinaj arriti të sigurojë leje zhvillimore nga AZHT. Ditët e fundit, këtij projekti i ishte bërë një fushatë intensive marketingu në media, çka ka shërbyer si shkëndijë për ndezjen e menjëhershme të konfliktit. 

SHIH NË VIDEON E MËPOSHTME PROJEKTIN:

Ka të dhëna se në zhvendosjen koordinatave të jetë përfshirë edhe Ergys Agasi, i arrestuar pak ditë më parë nga SPAK, me të cilin Muça ka patur një koflikt pak kohë më prë.

Muça e kishte paralajmëruar më herët Bedinajn se po ndërhynte mbi një pronë tashmë të paguar dhe i kishte kërkuar të tërhiqej nga projekti. Pasi Bedinaj refuzoi, duke pretenduar se toka e tij ishte e pastër dhe e blerë nga pronarë legjitimë, palët lanë një takim për t’u sqaruar.

Dje, rreth orës 12:30, Muça u paraqit pranë resortit “Regina Palm” në Radhimë. Sipas dëshmive nga vendngjarja, propozimi i tij në tavolinë nuk ishte një haraç, por një zgjidhje kompromisi.

“Nëse nuk heq dorë nga prona, më likuido paratë që kam shpenzuar unë duke e blerë dy herë këtë tokë dhe mbaje, unë tërhiqem.”

Refuzimi i prerë i Bedinajt ka ndezur debatin, i cili brenda pak minutash ka degjeneruar në përleshje fizike, ku Bedinaj është goditur me grushte. Situata ka dalë jashtë kontrollit kur një nga rojet e sigurisë së hotelit të Bedinajt ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar drejt personave të lidhur me grupin e Muçës, duke goditur një automjet dhe duke një person të plagosur.

Policia e Vlorës reagoi disa orë pas ngjarjes. Deklarata e saj ka ngritur pikëpyetje të forta.

Policia e cilësoi ngjarjen menjëherë si tentativë “gjobëvënieje prej 5 milionë eurosh”. Por ky pretendim duket se vjen ekskluzivisht nga dëshmia e Bedinajt, pasi policia nuk paraqiti r asnjë provë që mbështet këtë shifër si gjobë shantazhi dhe jo si kërkesë për dëmshpërblim të investimit të kryer për tokën.

Lexo edhe:

Policia anashkaloi tërësisht thelbin e konfliktit, mbivendosjen e pronave në Palasë, duke e zhvendosur vëmendjen nga skandali institucional i kadastrës dhe lejes së ndërtimit drejt një ngjarjeje ordinere shantazhi.

Ngjarja pritet të zbardhet nga hetimet e prokurorisë.  Por deri tani, të dhënat tregojnë se ai nuk qe një sherr mes dy personash apo dy grupesh për shantazh apo gjobëvënie, por pasqyra e radhës se si kaosi me tokat në jug, mbivendosja e pronave dhe lejet e ndërtimit të dhëna mbi prona me konflikt të hapur, përfundojnë në konflikte të armatosur. /Zoom.al 

Postime të lidhura