
Zjarri që përfshiu mbrëmë qarkun e Fierit ka lënë pasoja të konsiderueshme. Banesa të djegura sipërfaqe tokash dhe pemë të shkrumbuara, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e zjarreve në qarkun e Fierit.
Era e fortë favorizoi përhapjen e zjarreve në Fermë Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan. Gjatë natës, ndërhyrja u vështirësua për shkak të errësirës dhe terrenit të thyer.
Vatrat më problematike u regjistruan në kodrat e Levanit dhe Radostinës, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Peshtanit.
Me zbardhjen e ditës, operacioni ka rifilluar me forca të shtuara. 90 efektivë të Forcave të Armatosura nga reparti i Poshnjës janë angazhuar në vatrën e Frakullës, ndërsa në terren ndodhen edhe 7 mjete zjarrfikëse.
Ndërkohë, për shuarjen e flakëve po ndërhyhet edhe nga ajri. Në Frakull, zjarri ka përfshirë një masiv me pisha, duke shkaktuar tym të dendur dhe duke vështirësuar punën e ekipeve në terren.
Vatra vijon të lëvizë në drejtim të fshatit Peshtan, por aktualisht raportohet se ndodhet larg zonave të banuara.
Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa situata vijon të monitorohet në të gjitha zonat e prekura./Versus.al

