Shkodër, arrestohet i dyshuari për disa raste të vjedhjeve

20-vjeçari me iniciale Xh.Rr. është arrestuar nga Policia e Shtetit nën dyshimin se në periudha të ndryshme në qytetin e Shkodrës dhe në Velipojë ka kryer disa raste vjedhjesh.

Siç bën të ditur Policia, në banesën e 20-vjeçarit, në cilësinë e provës materiale është sekustruar një sasi lënde e dyshuar narkotike “Cannabis sativa”.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se 20-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas të mitur, në periudha të ndryshme, në qytetin e Shkodrës dhe në Velipojë, ka kryer disa raste vjedhjeje, konkretisht motomjete, një biçikletë elektrike, një celular dhe një shumë parash në një lokal”- thuhet në njoftim.

Sipas forcave të rendit, motomjetet janë gjetur dhe sekuestruar ndërkohë që janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer i arrestuari.

“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”- thekson Policia e Shtetit.