AKTUALITET /

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Gogu: Zgjidhja e mosmarrëveshjes do të bëhet në Kuvend me ligj

Sipas ministrit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, por për zbatimin e tyre nevojitet një autorizim i qartë ligjor.

Shkruar nga Versus

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Gogu: Zgjidhja e

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të zgjidhet me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Gogu tha se ngërçi është krijuar për shkak të mungesës së bazës ligjore për formulën e pagave të magjistratëve, pas shfuqizimit të saj nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas ministrit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, por për zbatimin e tyre nevojitet një autorizim i qartë ligjor.

“Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi”, u shpreh Gogu.

Ai theksoi se në mungesë të këtij autorizimi ligjor, Ministria e Financave është në pamundësi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, boshllëku ligjor do të plotësohet në fillim të sesionit të ri parlamentar, me synimin që zgjidhja të jetë në përputhje si me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe me buxhetin e shtetit.

“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën, zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi ministri.

Gogu nënvizoi se pagat e magjistratëve duhet të përcaktohen përmes një formule të qartë ligjore dhe se mosmarrëveshja mes institucioneve duhet të marrë fund përmes ndërhyrjes së Kuvendit.

“Mosmarrëveshja zgjidhet në Kuvend me ligj”, përfundoi Toni Gogu./Versus.al

 

Poll