Live Updates /

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe ullishtesh. Nis ndërhyrja nga ajri me helikopterë. Rama: Vlerësim i plotë i situatës për dëmet

*Mëngjesin e sotëm ka nisur operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit që përfshinë mbrëmjen e së premtes zonën e qarkut të Fierit dhe që u përhap më pas deri në Himarë. *Helikopterët kanë hedhur ujë mbi vatrat e zjarrit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe izoluar vatrat aktive, ndërsa në terren janë angazhuara Forcat e Armatosura, së bashku me forca të shumta zjarrfikëse të ardhura nga Himara, Delvina, Vlora dhe Saranda. *Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, bëri me dije se rreth 170 efektivë janë përfshirë në operacion, ndërsa situata në orët e para të mëngjesit është përmirësuar dhe aktualisht konsiderohet nën kontroll.*Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se aktualisht situata është nën kontroll dhe se nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. *Sipas tij, bashkitë do të vijojnë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Mëngjesin e sotëm ka nisur operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit që përfshinë mbrëmjen e së premtes zonën e qarkut të Fierit dhe që u përhap më pas deri në Himarë. *Helikopterët kanë hedhur ujë mbi vatrat e zjarrit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe izoluar vatrat aktive, ndërsa në terren janë angazhuara Forcat e Armatosura, së bashku me forca të shumta zjarrfikëse të ardhura nga Himara, Delvina, Vlora dhe Saranda. *Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, bëri me dije se rreth 170 efektivë janë përfshirë në operacion, ndërsa situata në orët e para të mëngjesit është përmirësuar dhe aktualisht konsiderohet nën kontroll.*Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se aktualisht situata është nën kontroll dhe se nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. *Sipas tij, bashkitë do të vijojnë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

12 Postime
1 DITE ME PARE

Vatra zjarri aktive në Fier, prefektiL 90 ushtarë në terren. Nis ndërhyrja nga ajri

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Prefekti i Fierit, Aurel Xhindi, ka bërë me dije se aktualisht në territorin e Bashkisë Fier është aktive vetëm një vatër zjarri.

Sipas tij, pas zjarreve që gjatë ditës së djeshme prekën tre njësi administrative, strukturat operacionale janë angazhuar për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Në terren po operojnë 40 efektivë të MZSH-së, 90 trupa të Forcave të Armatosura dhe 8 mjete zjarrfikëse. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me dy avionë Air Tractor dhe një helikopter të Forcave të Armatosura.

“Momentalisht kemi vetëm një vatër zjarri aktive ku po punojmë me 40 efektivë të MZSH-së, me 90 trupa të Forcave të Armatosura, si dhe me 8 mjete zjarrfikëse. Gjithashtu kemi në mbështetje dy avionë Air Tractor dhe një helikopter të Forcave të Armatosura”, deklaroi Xhindi.

Prefekti theksoi se po vijon koordinimi mes strukturave për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

“Shpresojmë që ky zjarr të mos marrë përmasa akoma më të mëdha”, u shpreh ai.

Mbrëmjen e djeshme, situata më problematike u paraqit në kodrat e Levanit dhe Radostinës, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Peshtanit.

Me zbardhjen e ditës operacioni ka rifilluar me forca të shtuara, ndërsa 90 efektivë të Forcave të Armatosura të repartit të Poshnjës janë angazhuar në vatrën e Frakullës. Operacioni vijon për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve, pas një dite ku zjarret prekën rëndë gjashtë fshatra të qarkut të Fierit./Versus.al

1 DITE ME PARE

Zjarret në Fier/ I vunë flakën tokës për djegien e shkurreve, arrestohet 50-vjeçari. Procedohet një tjetër

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Policia e Fierit ka zbardhur dy raste zjarrvënieje në fshatrat Daullas dhe Kreshpan, duke arrestuar në flagrancë një 50-vjeçar dhe duke proceduar penalisht një tjetër.

Në Daullas, shërbimet e Policisë kanë arrestuar pranë vatrës së zjarrit shtetasin A. G., 50 vjeç. Sipas hetimeve, ai kishte ndezur zjarr në tokën e tij për djegien e shkurreve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në një sipërfaqe të madhe me bimësi.

Ndërkohë, në fshatin Kreshpan është identifikuar pranë një tjetër vatre zjarri shtetasi Q. Y. Ai ka deklaruar se kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve në tokën e tij, por era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve.

Zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar disa banesa dhe duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi. Për shkak të moshës, Q. Y. është proceduar penalisht.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia u bën apel qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe pastrimin e tokave përmes zjarrit, pasi flakët mund të përhapen me shpejtësi dhe të rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin 112.

1 DITE ME PARE

VIDEO/ Zjarret në Himarë, Nufi: Situata është më e qetë, angazhim i jashtëzakonshëm i forcave në terren

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar se situata e zjarreve në Himarë është përmirësuar dhe aktualisht paraqitet më e qetë.

Gjatë një vizite në zonën e prekur nga zjarret, Nufi vlerësoi punën e forcave të angazhuara për përballimin dhe menaxhimin e situatës.

Sipas ministrit, në terren janë angazhuar 170 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 300 zjarrfikës dhe 21 mjete zjarrfikëse, ndërsa operacioni është mbështetur edhe nga ajri në orët e para të mëngjesit.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme për menaxhimin e situatës në Himarë”, u shpreh Nufi, duke theksuar angazhimin e strukturave në terren.

Ndërhyrja e forcave vijon për monitorimin e zonave të prekura dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të vatrave të zjarrit.

1 DITE ME PARE

Orët e ferrit në Himarë, turistët tregojnë panikun: Menduam se nuk do të largoheshim dot nga flakët

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Katër turiste të huaja që ndodheshin në Himarë gjatë zjarrit të fuqishëm të së premtes mbrëma kanë rrëfyer momentet e panikut që përjetuan.

Turistet thanë se flakët u afruan pranë zonave ku po qëndronin, ndërsa për disa momente u përballën edhe me vështirësi për t’u larguar.

Një prej tyre tregoi se në kulmin e zjarrit kishte frikë se do të mbetej e bllokuar, pasi rrugët ishin të bllokuara dhe taksitë nuk mund të shkonin deri tek ato.

“Dje ishte vërtet shumë e frikshme. Në një moment mendova: Si do të largohemi nga këtu?”, rrëfeu turistja.

Ajo tha se së bashku me të tjerat u larguan nga zona dhe u strehuan në një restorant, ndërsa falënderoi stafin e hotelit dhe zjarrfikësit për ndihmën e dhënë.

Një tjetër turiste tregoi se flakët dukeshin qartë nga hosteli ku qëndronte, ndërsa situata mbeti e pasigurt deri në mëngjes.

“Ishte e frikshme. Sot në mëngjes pamë avionët dhe gjithë ndërhyrjen që po bëhej, ndaj ende nuk dukej plotësisht e sigurt. Por tani mendoj se situata është më e mirë”, tha ajo.

Ndërkohë, një tjetër prej turisteve tregoi se u larguan me makinë dhe qëndruan përkohësisht në një restorant, derisa morën njoftimin se mund të riktheheshin në hostel.

Sipas saj, disa turistë australianë që ndodheshin në të njëjtin hostel, për shkak të përvojës së tyre me zjarret, i këshilluan të largoheshin.

Pas rikthimit në hostel, turistet gjetën ende prush dhe gjurmë të zjarrit, ndërsa energjia elektrike ishte ndërprerë.

Pavarësisht frikës së përjetuar dhe dëmeve të shkaktuara në natyrë, turistet thonë se sot ndihen të sigurta dhe kanë vendosur të vijojnë pushimet në Himarë.

“Sigurisht që është ende pak e frikshme kur mendon se zjarri u afrua kaq shumë, por e rëndësishme është që situata tashmë është vënë nën kontroll”, u shpreh njëra prej tyre.

1 DITE ME PARE

Iu dogj magazina ku prodhonte kosheret e bletëve, banori në Levan i dëshpëruar: U dogjën prapë ullinjtë, ku të vete unë?

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Banorët e Levanit në Fier vijojnë të përballen me pasojat e zjarrit të fuqishëm që përfshiu zonën një ditë më parë, ndërsa presin grupet e vlerësimit për të evidentuar dëmet.

Flakët iu afruan banesave dhe bizneseve, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke përhapur panik te familjet. Banorët kërkojnë që procesi i verifikimit të nisë sa më shpejt, pasi shumë prej tyre kanë humbur pasuri dhe prodhime bujqësore.

Një i moshuar, i cili qëndron pranë magazinës ku prodhonte koshere për bletët, apelon për ndërhyrjen e autoriteteve dhe dokumentimin e dëmeve.

“Këta thonë kur ka nevojë populli, jemi në gatishmëri… Ejani dhe shikoni gjendjen, bëni procesverbal. Po ullinjtë? U dogjën prapë ullinjtë, ku të vete unë?”, shprehet ai.

Banorët janë informuar se grupi i vlerësimit do të kryejë verifikimet në terren ditën e martë.

Ndërkohë, banorët e zonës kërkojnë që dëmet të evidentohen dhe të vlerësohen sa më shpejt, në mënyrë që familjet e prekura të mund të marrin ndihmën e nevojshme.

1 DITE ME PARE

Zjarret në Himarë dhe Fier, reagon Rama: Do bëhet vlerësimi i dëmeve, situata është nën kontroll

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e krijuar nga zjarret në Fier dhe Himarë, të cilat gjatë natës shkaktuan një situatë të vështirë dhe rrezikuan disa zona të banuara.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se aktualisht situata është nën kontroll dhe se nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara.

“Himara dhe Fieri kaluan një natë shumë të vështirë mbrëmë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara”, u shpreh kryeministri.

Rama bëri me dije se strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës, ndërsa ka nisur edhe procesi i evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret.

Sipas tij, bashkitë do të vijojnë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

“Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, deklaroi Rama.

1 DITE ME PARE

Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 39 vatra në 24 orë, 11 vijojnë aktive. 881 forca operacionale dhe 3 helikopterë në terren

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

39 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Tre vatra janë nën monitorim, ndërsa 25 të tjera janë shuar plotësisht.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në terren janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 mjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe një avion “Air Tractor”.

Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 380 forcave ushtarake, dy helikopterëve dhe një avioni “Air Tractor” për përballimin e situatës.

Vatrat kryesore aktive janë raportuar në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Situata më problematike gjatë 24 orëve të fundit është paraqitur në Fier dhe Himarë, ku autoritetet kanë arritur të shmangin rrezikun për zonat e banuara dhe vijojnë operacionet për neutralizimin e flakëve.

Në Himarë, në lagjen “1 Maji”, janë evakuuar 36 qytetarë, ndërsa zjarri ka prekur 6 banesa, 3 prej të cilave ishin të banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

1 DITE ME PARE

Zjarri në Himarë/ Shoqërohet në polici një çoban, dyshohet se i vuri flakën zonës

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Policia e Vlorës ka identifikuar një person, si autorin e zjarrit që përfshiu mbrëmjen e djeshme zonën e Bypass-it të Vlorës, duke djegur dhe lagjen nr. 1 në Himarë.

Personi i shoqëruar është një çoban i zonës, i cili kullot bagëtitë në territorin pranë bypass-it.

Sipas dyshimeve paraprake të autoriteteve, ai mund të ketë lidhje me vendosjen e flakëve, ndërsa po kryhen hetime për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Zjarri, i favorizuar edhe nga era e fortë, u përhap me shpejtësi dhe doli jashtë kontrollit, duke rrezikuar banesa dhe biznese. Si pasojë, gjashtë banesa u dogjën plotësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Për shkak të rrezikut, banorët dhe turistët që ndodheshin në zonë u detyruan të largoheshin nga banesat dhe strukturat ku qëndronin.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave punuan gjatë gjithë natës për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Në orët e mëngjesit, situata u vu nën kontroll, ndërsa vijon puna për shuarjen përfundimtare të vatrave./Versus.al

1 DITE ME PARE

VIDEO/ Zjarri shkrumbon toka e banesa në Levan e Radostimë të Fierit, 90 forca të ushtrisë në terren. Nis ndërhyrja nga ajri

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Zjarri që përfshiu mbrëmë qarkun e Fierit ka lënë pasoja të konsiderueshme. Banesa të djegura sipërfaqe tokash dhe pemë të shkrumbuara, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e zjarreve në qarkun e Fierit.

Era e fortë favorizoi përhapjen e zjarreve në Fermë Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan. Gjatë natës, ndërhyrja u vështirësua për shkak të errësirës dhe terrenit të thyer.

Vatrat më problematike u regjistruan në kodrat e Levanit dhe Radostinës, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Peshtanit.

Me zbardhjen e ditës, operacioni ka rifilluar me forca të shtuara. 90 efektivë të Forcave të Armatosura nga reparti i Poshnjës janë angazhuar në vatrën e Frakullës, ndërsa në terren ndodhen edhe 7 mjete zjarrfikëse.

Ndërkohë, për shuarjen e flakëve po ndërhyhet edhe nga ajri. Në Frakull, zjarri ka përfshirë një masiv me pisha, duke shkaktuar tym të dendur dhe duke vështirësuar punën e ekipeve në terren.

Vatra vijon të lëvizë në drejtim të fshatit Peshtan, por aktualisht raportohet se ndodhet larg zonave të banuara.

Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa situata vijon të monitorohet në të gjitha zonat e prekura./Versus.al

 

 

1 DITE ME PARE

Banesa të djegura dhe sipërfaqe toke e shkrumbuar në Potam, çfarë la pas zjarri masiv në Himarë

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Zjarri që ra mbrëmë në Himarë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme sidomos në zonën e Potamit.

Sic shihet nga pamjet, zjarri ka shkrumbuar sipërfaqe tokash, pemë dhe ka djegur disa banesa.

Ndërsa vijon operacioni për shuarjen e vatrave aktive në zonën e Himarës, duket se në Potam është pothuajse e shkrumbuar cdo gjë në këtë zonë.

Helikopteri vijon punën në zonën e Pilurit, ku zjarri ka përfshirë kodrën e tij.

Forcat e Armatosura janë në terren dhe pothuajse gjithë natën kanë vazhduar punën për vënien në kontroll të situatës.

36 banorë janë evakuuar për siguri ndërsa janë djegur disa banesa në zonën e Himarës./Versus.al

 

 

1 DITE ME PARE

Zjarri në Himarë/ Prefektja e Vlorës: Gjatë natës u rrezikua Potami. Në terren efektivë nga Delvina, Vlora dhe Saranda

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, ka deklaruar sot për mediat se vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit që përfshinë mbrëmjen e djeshme zonën e Himarës.

Alushi tha se në operacion janë përfshirë forcat e MZSH-së së Himarës, si dhe efektivë të ardhur në ndihmë nga Delvina, Vlora dhe Saranda, së bashku me Forcat e Armatosura.

Sipas saj, situata në orët e para të mëngjesit është përmirësuar dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Por, gjatë natës, rreziku më i madh është shfaqur në zonën e Potamit, ndërsa aktualisht forcat janë përqendruar në kodrën e Pilurit, ku vijon monitorimi për shkak të rrezikut nga zjarri.

Në ndihmë të operacionit ka mbërritur një helikopter, ndërsa pritet edhe ardhja e një helikopteri të dytë.

"Dje patëm një risk në zonën e Potamit, por nuk ka rrezik për në zonën e banuar. Aktualisht jemi në kodrën e Pilurit dhe operacioni është pozicionuar atje për shkak të rrezikut që ka pasur zona.

Bashkia do të bëjë verifikimet në terren. Kemi pasur 3 shtëpi të banuara dhe 3 të pabanuara, të cilat janë prekur nga zjarri. Sa i përket banorëve të evakuuar, kemi pasur 36 të tillë, jo sepse ka pasur rrezik për banesat e tyre, por si masë parandaluese. Për dëme të tjera, që lidhen me gjënë e gjallë, nuk kemi pasur. Për gjithçka tjetër do të bëhet vlerësimi nga bashkia në terren", tha Alushi.

Prefektja sqaroi se evakuimi nuk është bërë për shkak të një rreziku të drejtpërdrejtë për banesat, por si masë sigurie për banorët.

Nuk janë raportuar dëme në gjënë e gjallë. Ndërkohë, Bashkia Himarë pritet të kryejë verifikimet në terren për të përcaktuar dëmet e shkaktuara nga zjarri.

Forcat e angazhuara vijojnë monitorimin në zonën e Pilurit, ndërsa situata mbetet nën kontroll.

1 DITE ME PARE

Zjarri në Himarë vihet në kontroll/ Nufi: 171 forca të FA në terren për mbrojtjen e jetës së qytetarëve

Zjarret masive në Himarë dhe Fier/ Digjen banesa dhe sipërfaqe

Zjarri i rënë në zonën e Himarës është vënë nën kontroll, ndërsa gjatë natës Forcat e Armatosura kanë vijuar angazhimin në terren për menaxhimin e situatës.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, në terren kanë qenë të angazhuar 171 efektivë të Forcave të Armatosura, 10 mjete, një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë.

Forcat e angazhuara kanë qëndruar në gatishmëri pranë komunitetit, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të pronës, si dhe përballimin e situatës së krijuar nga zjarri.

Ministria e Mbrojtjes ka shprehur mirënjohje për të gjithë efektivët e angazhuar në terren për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë menaxhimit të situatës.

Poll