
Dy gjykata, kanë caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas përplasjes së armatosur që ndodhi më 3 shtator në ambientet e hotelit “Regina Palm” në Radhimë të Vlorës, në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj.
Detyrim paraqitjeje është masa e sigurisë që ka caktuar gjykata për Luan Muçën, pronarin e ‘Delta Group’ pas sherrit të armatosur me Vasil Bedinajn te ‘Regina Palm’ në Vlorë.
Për Mandrit Lleshajn, pronarin e ‘SWAT Security’, rojet e së cilës e shoqëronin Muçën, gjykata vendosi arrest me burg, masë kjo e caktuar edhe për shqiptarin nga Kosova, Blerim Hetën e Klaudio Lleshajn.
Për Angjelo Breshanin, njeriun e Bedinajt i cili qëlloi drejt ‘Range Rover’-it, u vendos arrest shtëpie.
Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të saj
Çështja i ka kaluar Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës.
Ngjarja nisi me një përballje mes dy grupeve dhe përshkallëzoi deri në përdorimin e armëve.
Sipas hetimeve dhe dëshmive të bëra publike, në hotel mbërriti një grup personash të armatosur, ndërsa në vend ndodhej biznesmeni Vasil Bedinaj.
Pamjet e sigurisë tregojnë një autokolonë me disa automjete që mbërrijnë pranë resortit dhe persona që zbresin prej tyre.
Bedinaj ka deklaruar para hetuesve se konflikti lidhej me një kërkesë për 5 milionë euro dhe se i ishte kërkuar të largohej nga Shqipëria.
Nga ana tjetër, biznesmeni Luan Muça i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se përplasja kishte të bënte me një konflikt pronësie në bregdetin e jugut dhe me pretendime mbi ligjshmërinë e dokumentacionit të një prone.
Pas përplasjes në hotel, ngjarja vijoi edhe jashtë resortit.
Dy persona të përfshirë në konflikt u aksidentuan në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës, ndërsa hetimet zbuluan gjithashtu se dy persona nga grupi ishin punonjës të Policisë Ushtarake, ndaj të cilëve u mor masa e pezullimit.
Bujar Muça, i cili ishte shpallur më herët në kërkim, është vëllai i Luan Muçës dhe dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë përplasjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale dhe rrethanat e plota të konfliktit.
Ndërkohë, pretendimi për gjobën prej 5 milionë eurosh dhe versioni për konfliktin e pronësisë mbeten dy versionet kryesore të paraqitura nga palët, dhe nuk përbëjnë ende një përfundim gjyqësor mbi shkakun e ngjarjes.
Personat e përmendur në këtë shkrim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë./Versus.al

