AKTUALITET /

Përleshje me th*ka në Itali, shqiptari plagos rëndë 35-vjeçarin maroken pas konfliktit për motive xhelozie

Shkruar nga Versus

Përleshje me th*ka në Itali, shqiptari plagos rëndë

Një konflikt i dyshuar për motive xhelozie ka përfunduar me një sulm të përgjakshëm pranë stacionit të trenit në Treviglio të Italisë, ku një 35-vjeçar me origjinë marokene mbeti i plagosur rëndë.

Për ngjarjen është arrestuar një 22-vjeçar shqiptar, i cili ndodhet në burg nën akuzën për tentativë vrasjeje.

Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:00. Dy personat zbritën nga i njëjti tren në stacionin e Treviglios, ku 35-vjeçarin e prisnin dy miq. Mes tyre nisi një debat, i cili më pas degjeneroi në përleshje fizike.

Sipas dëshmive të mbledhura nga hetuesit, 22-vjeçari shqiptar kishte kërcënuar personat e tjerë gjatë konfliktit. Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë regjistruar disa momente të përplasjes.

Përleshja vijoi edhe më vonë në një parkim në bulevardin Vittorio Veneto, pranë xhamisë. Sipas rindërtimit paraprak të policisë, shqiptari, i armatosur me dy thika, dyshohet se ka ndjekur 35-vjeçarin dhe e ka goditur në krah dhe në shpinë.

Ngjarja u pa nga disa dëshmitarë, ndërsa një grua që ndodhej pranë vendit të sulmit telefonoi menjëherë ambulancën.

I plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Treviglios. Gjendja e tij është stabilizuar, por ai vijon të qëndrojë i shtruar dhe prognoza mbetet e rezervuar.

Në vendin e ngjarjes autoritetet gjetën gjurmë të shumta gjaku dhe sekuestruan një thikë me teh të palosshëm, e cila dyshohet se është përdorur gjatë sulmit.

22-vjeçari u arrestua po atë mbrëmje nga karabinierët e Treviglios. Gjatë marrjes në pyetje në burg, ai ka pranuar se e ka goditur 35-vjeçarin me thikë, por ka pretenduar se veproi në vetëmbrojtje, duke tentuar të minimizojë përgjegjësinë e tij.

Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm për të zbardhur të gjithë dinamikën e konfliktit.

Në qendër të hetimit dyshohet se qëndron një lidhje sentimentale, e cila mund të ketë qenë shkak i përplasjes mes dy personave.

22-vjeçari pritet të dalë të hënën para gjyqtarit për hetimet paraprake, ku do të zhvillohet seanca për vleftësimin e arrestit./Versus.al

Tags:

plagosje

Poll