AKTUALITET /

Orët e ferrit në Himarë, turistët tregojnë panikun: Menduam se nuk do të largoheshim dot nga flakët

Turistet thanë se flakët u afruan pranë zonave ku po qëndronin, ndërsa për disa momente u përballën edhe me vështirësi për t’u larguar.

Shkruar nga Versus

Orët e ferrit në Himarë, turistët tregojnë panikun:

Katër turiste të huaja që ndodheshin në Himarë gjatë zjarrit të fuqishëm të së premtes mbrëma kanë rrëfyer momentet e panikut që përjetuan.

Turistet thanë se flakët u afruan pranë zonave ku po qëndronin, ndërsa për disa momente u përballën edhe me vështirësi për t’u larguar.

Një prej tyre tregoi se në kulmin e zjarrit kishte frikë se do të mbetej e bllokuar, pasi rrugët ishin të bllokuara dhe taksitë nuk mund të shkonin deri tek ato.

“Dje ishte vërtet shumë e frikshme. Në një moment mendova: Si do të largohemi nga këtu?”, rrëfeu turistja.

Ajo tha se së bashku me të tjerat u larguan nga zona dhe u strehuan në një restorant, ndërsa falënderoi stafin e hotelit dhe zjarrfikësit për ndihmën e dhënë.

Një tjetër turiste tregoi se flakët dukeshin qartë nga hosteli ku qëndronte, ndërsa situata mbeti e pasigurt deri në mëngjes.

“Ishte e frikshme. Sot në mëngjes pamë avionët dhe gjithë ndërhyrjen që po bëhej, ndaj ende nuk dukej plotësisht e sigurt. Por tani mendoj se situata është më e mirë”, tha ajo.

Ndërkohë, një tjetër prej turisteve tregoi se u larguan me makinë dhe qëndruan përkohësisht në një restorant, derisa morën njoftimin se mund të riktheheshin në hostel.

Sipas saj, disa turistë australianë që ndodheshin në të njëjtin hostel, për shkak të përvojës së tyre me zjarret, i këshilluan të largoheshin.

Pas rikthimit në hostel, turistet gjetën ende prush dhe gjurmë të zjarrit, ndërsa energjia elektrike ishte ndërprerë.

Pavarësisht frikës së përjetuar dhe dëmeve të shkaktuara në natyrë, turistet thonë se sot ndihen të sigurta dhe kanë vendosur të vijojnë pushimet në Himarë.

“Sigurisht që është ende pak e frikshme kur mendon se zjarri u afrua kaq shumë, por e rëndësishme është që situata tashmë është vënë nën kontroll”, u shpreh njëra prej tyre.

Poll