
Prefekti i Fierit, Aurel Xhindi, ka bërë me dije se aktualisht në territorin e Bashkisë Fier është aktive vetëm një vatër zjarri.
Sipas tij, pas zjarreve që gjatë ditës së djeshme prekën tre njësi administrative, strukturat operacionale janë angazhuar për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Në terren po operojnë 40 efektivë të MZSH-së, 90 trupa të Forcave të Armatosura dhe 8 mjete zjarrfikëse. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me dy avionë Air Tractor dhe një helikopter të Forcave të Armatosura.
“Momentalisht kemi vetëm një vatër zjarri aktive ku po punojmë me 40 efektivë të MZSH-së, me 90 trupa të Forcave të Armatosura, si dhe me 8 mjete zjarrfikëse. Gjithashtu kemi në mbështetje dy avionë Air Tractor dhe një helikopter të Forcave të Armatosura”, deklaroi Xhindi.
Prefekti theksoi se po vijon koordinimi mes strukturave për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
“Shpresojmë që ky zjarr të mos marrë përmasa akoma më të mëdha”, u shpreh ai.
Mbrëmjen e djeshme, situata më problematike u paraqit në kodrat e Levanit dhe Radostinës, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Peshtanit.
Me zbardhjen e ditës operacioni ka rifilluar me forca të shtuara, ndërsa 90 efektivë të Forcave të Armatosura të repartit të Poshnjës janë angazhuar në vatrën e Frakullës. Operacioni vijon për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve, pas një dite ku zjarret prekën rëndë gjashtë fshatra të qarkut të Fierit./Versus.al

