Shqipëria Postuar më 3 Shtator 2026, 10:40

Digjitalizohen 4.3 milionë kartela pasurie - Finalizohet kadastra e pronave, lehtësohen procedurat për qytetarët

Nga Elisabeta Dosku

Digjitalizohen 4.3 milionë kartela pasurie - Finalizohet kadastra e

4.3 milionë kartela pasurie të qytetarëve shqiptarë, në të gjithë territorin e vendit, janë digjitalizuar tërësisht, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve për pronësinë në rastet kur ajo rezulton me dokumentacionin e duhur, mbivendosjeve në harta si dhe problematikave me dosjet fizike.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përfunduar procesin e digjitalizimin, duke realizuar një nga objektivat e përcaktuar në Agjendën Kombëtare të Reformave në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Aktualisht të gjitha kartelat e pasurisë administrohen në format elektronik dhe janë plotësisht të integruara në sistemin kadastral, duke shënuar një transformim të rëndësishëm në mënyrën e administrimit të të dhënave të pronësisë.

Digjitalizimi i kartelave të pasurisë tashmë do të lehtësojë proceset e punës në Agjencinë Shtetërorë të Kadastrës (ASHK), duke mundësuar trajtim më të shpejtë të aplikimeve, reduktim të procedurave manuale, rritje të efikasitetit administrativ dhe zgjerim të mundësive për ofrimin e shërbimeve të automatizuara për qytetarët dhe bizneset.

Çdo kërkesë për pajisje me kartelë pasurie përpunohet tashmë drejtpërdrejt në sistemin elektronik nga specialistët e ASHK-së, pa qenë e nevojshme konsultimi i regjistrave fizikë. Kjo ul ndjeshëm kohën e shqyrtimit të aplikimeve dhe minimizon riskun e gabimeve gjatë përpunimit të të dhënave.

Njëkohësisht, çdo regjistrim apo transaksion mbi pasurinë pasqyrohet menjëherë në regjistrin kadastral elektronik, duke garantuar transparencë, gjurmueshmëri dhe siguri juridike më të lartë për të drejtat e pronësisë.

Përfundimi i digjitalizimit të kartelave të pasurisë përbën një hap të rëndësishëm në modernizimin e administrimit kadastral si dhe në tërheqjen e investimeve të huaja si dhe lehtësimin e transaksioneve të pasurive të paluajtshme.

Nga ana tjetër lehtësohet ndjeshëm aplikimi i taksës së re të pronës.

Qëllimi i këtij procesi ka qenë ndër të tjera reduktimi i vonesave kohore të shërbimeve kadastrale, rritja e efikasitetit, ofrimi i shërbimeve nga Agjencia e Kadastrës, duke marrë masa kundër korrupsionit dhe mitëmarrjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat