“Trëndafili i Medinës” – aktiviteti që bashkoi besimtarët e Durrësit në përkujtim të jetës dhe veprës së Profetit Muhamed ﷺ

Ervin Qylafku

 

Në Sallën e Konferencave të Qendrës Tregtare Blustar në Durrës u zhvillua aktiviteti me titull “Trëndafili i Medinës”, organizuar nga Myftinia Durrës, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, në një atmosferë të ngrohtë kushtuar jetës, veprës dhe mesazhit që përcolli Profeti ynë i dashur, Muhamedi ﷺ.

Në këtë takim ishin të pranishëm Myftiu i Durrësit, Eduard Shefkiu, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Lauren Luli, imami i Xhamisë së Qendrës, Ervin Qylafku, hoxhallarë, besimtarë dhe qytetarë të shumtë të qytetit bregdetar.

Aktiviteti u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore, për të vijuar me transmetimin e një dokumentari të shkurtër mbi të Dërguarin e Allahut (xh.sh).

Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Durrësit, Shefkiu, bëri një reflektim me tone të thella nderimi dhe përshpirtshmërie mbi figurën e Profetit Muhamed (s.a.s.), i cili cilësohet si krenaria e njerëzimit dhe udhërrëfyes sublim që tejkalon kohën. Autori thekson se, përballe transformimeve dhe krizave idelogjike e politike të botës, prezantimi i vërtetë i profetit mbetet i gjallë, i freskët dhe burim shpëtimi e qetësie për çdo besimtar. Pavarësisht sfidave të kohës, të kuptuarit e rrugës së tij vlerësohet si e vetmja mënyrë për t’i kthyer njerëzimit dinjitetin dhe orientimin e duhur. Në mbyllje ai theksoi se madhështia e tij është e pamundur të përshkruhet plotësisht me fjalë njerëzore, pasi çdo përpjekje për ta lavdëruar atë vetëm sa lartëson vetë fjalët tona.

Më tej, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Lauren Luli, trajtoi ndikimin e jashtëzakonshëm që solli ardhja e Profetit Muhamed ﷺ në këtë botë, duke u ndalur te ndryshimet që ai solli në shoqërinë e asaj kohe dhe jehona e këtij mesazhi në ditët e sotme.

“Ardhja e Profetit Muhamed ﷺ ndryshoi një shoqëri të tërë dhe i dha njerëzimit një model të ri jetese, të mbështetur mbi moralin, edukimin, drejtësinë dhe sjelljen e mirë me njerëzit. Shembulli i tij mbetet edhe sot një model për t’u ndjekur dhe për t’u jetësuar në përditshmërinë tonë, duke i kthyer këto vlera në mënyrën tonë të të menduarit e të vepruarit”, – tha z. Luli gjatë fjalës së tij.

Aktiviteti u përmbyll me referimin e imamit të Xhamisë së Qendrës së Durrësit, Ervin Qylafku, i cili vuri në pah se titullimi i Profetit Muhamed si “Trëndafili i Medinës” e ka origjinën te përshtypjet e shokëve të tij për aromën e tij të këndshme që me vonë u bë simbol i kudogjendur te poezia klasike islame. Ky simbol përfaqëson bukurinë morale, butësinë dhe pastërtinë e karakterit të tij në çdo situatë. Ndjekja e shembullit të tij në jetën e përditshme na ndihmon të ruajmë ndershmërinë, durimin e mirësinë, pa u ndikuar nga ashpërsia e botës rreth nesh. Në fund aj e mbylli duke theksuar se të jesh si një trëndafil mes ferrave (ligësisë dhe problematikave të jetës) do të thotë të zgjedhësh të përhapësh dobi e qetësi, pavarësisht sfidave të mjedisit.

Në përfundim të këtij aktiviteti, besimtarët e pranishëm u bënë pjesë e koktejit të organizuar me këtë rast nga Myftinia Durrës./fb

 

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne