Kërkesë Zyrtare për heqjen e Urdhrit “Nënë Tereza” dhe të Ditës së Pushimit Zyrtar për Nënë Terezën – nga “Udha e shkronjave”

Dërguar me e-mail (info@udhaeshkronjave.edu.al) drejt 330 adresave zyrtare që janë të 140 deputetëve, të shkollave të Tiranës, të anëtarëve të departamentit të Historisë dhe Institutit të Historisë, të Kishës Katolike, të Ministrisë së Arsimit dhe Zyrës Arsimore Tiranë (ora 14:15, datë 6 shtator 2026)

Nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Tiranë, më 6 shtator 2026

*PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË*

Kryetari z. Niko Peleshi
dhe dijeni 140 deputetët
Presidentit të Republikës z. Bajram Begaj
Për dijeni Departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës
Për dijeni Kishës Katolike Shqiptare
Ministrisë së Arsimit dhe Shkollave të Tiranës
Për dijeni Opinionit Publik Shqiptar në Shqipëri dhe diasporë

LËNDA: Kërkesë zyrtare për Heqjen e Urdhrit “Nënë Tereza” nga sistemi i dekoratave që parashikon ligji 93/2022 si edhe heqjen e Ditës së Pushimit Zyrtar për Nënë Terezën, si reagim koherent ndaj heqjes së Urdhrit “Naim Frashëri”, që godet statusin Poet Kombëtar.

Naim Frashëri shkruante “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar”.
Në fakt Kuvendi i sotëm i Shqipërisë, e çnderoi Naim Frashërin me heqjen e Urdhrit “Naim Frashëri” nga ligji 93/2022 që u miratua në 2024. Të na shikonte nga Qielli do të thoshte “E si munden që të bëhen pluhur vallë: Vepra e mirë, shpirti i dlirë, zemra e gjallë?”. Kuvendi synon ta shkombëtarizojë Naimin e t’ia fusë “në valixhen” e kombit artificial bektashi, sipas devizës franceze të Aurel Plasarit “Më jep një shtet të jap një komb”. Në fakt, do të kemi dy shtete dhe dy kombe artificale, produkte të shthurjes së shqiptarëve, ku asnjëri nuk do të jetë shtet mirëfilli shqiptar, pori një “sallatë”.
Përjashtohet që kjo punë të jetë nga injoranca, sepse këtu kemi edhe profesorët e historisë, që nuk reagojnë megjithëse kanë botuar libra të tërë. Dikush i ka frikësuar, i ka trëmbur, ose i ka korruptuar në mënyra që janë gjithmonë djallëzore por në fund rezultatin e kanë antikombëtar.

“UDHA E SHKRONJAVE” DHE NËNË TEREZA
Në raport me Gonxhe Bojaxhiun, “Udha e shkronjave” qëndron më lart se çdo shkollë tjetër laike shqipe. “Udha e shkronjave” ka investuar vazhdimisht në promovimin e vlerës së Gonxhe Bojaxhiut, si nënë bujare shqiptare, e cila duke i qëndruar besnike traditave shqiptare dhe mësimeve të krishtera iu përkushtua humanizmit. Me ndihmën e Vatikanit realizoi bamirësi në nivel global. Nga pikëpamja edukative, promovimi i vlerës së Gonxhe Bojaxhiut i bën mirë edukimit global, dhe ndikon pozitivisht në një ekuilibër fetar. Me shembuj të tillë kuptohet më mirë figura e shqiptarit i cili përfiton shenjtëri, edukim e kulturë nga burime të ndryshme fetare. Kjo e bën më të fortë shqiptarin.

Ku e kemi promovuar: Në çështjen fetare libri më i rëndësishëm yni është Libri i Shenjtë “BESA, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë” (Artur Shkurti, 2009, 272 faqe A4). Në këtë libër Naim Frashëri zë vendin e profetit, udhërrëfyesit, shenjtorit, edukatorit kryesor. Po në këtë libër, krahas poetëve të shquar shqiptarë, kemi cituar 37 herë Gonxhe Bojaxhiun, pikërisht për të pasuruar “menunë edukative” me të cilën duhej ushqyer brezi i ri sipas devizës së Rilindjes Kombtare “Feja e shqiptarit është shqiptaria” (Pashko Vasa). Kjo nuk e tjetërson faktin që Gonxhe Bojaxhiu është katolike, por forcon më shumë identitetin e veçantë shqiptar, i cili rritet në mjedis pluralist nga ana fetare.
Në vitin 2013, në Olimpiadën Kombëtare, rreth 1000 nxënës nga Shqipëria dhe Kosova certifikatat i kishin krahas poetëve shqiptarë edhe me figurën e Nënë Terezës.
Në shkollë kemi foton e Gonxhe Bojaxhiut krahas figurave të tjera shqiptare.
Në prill 2026 në Konferencën e Shkollave Pilot të Kembrixhit në prill 2016, (Jesus College) u ndamë 25 shkollave të Kembrixhit nga e gjithë bota si dhuratë një foto montazh ku krahas Poetit Kombëtar Naim Frashëri ishte edhe Nënë Tereza.
Këta jemi ne në raport me Nënë Terezën që të mos kemi keqkuptime për çfarë argumentojmë dhe kërkojmë.

PSE E KËRKOJMË HEQJEN E URDHRIT NËNË TEREZA

SHPËRFILLJA E KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë, për t’i hequr tinëz Naim Frashërit titullin Poet Kombëtar, duke hequr Urdhrin “Naim Frashëri” nga ligji për dekoratat në Republikën e Shqipërisë (93/2022). Me dhjetra kërkesa tona ndaj Kuvendit të Shqipërisë janë shpërfillur nga 140 deputetët për të rivendosur Urdhrin “Naim Frashëri”. Tashmë duhet t’ua bëjmë edhe këtë kërkesë zyrtare që është logjike vetëm nga pikëpamja e prishjes së ekuilbrit edukativ, nga prishja e menusë edukative me etjen e papërmbajtur të kishave për ta përdorur Shtetin Shqiptar dhe ligjet që bën Kuvendi i Shqipërisë për konvertime fetare dhe përçarje të shoqërisë shqiptare.

SHPËRFILLJA ZYRTARE E KISHËS KATOLIKE
Kisha Katolike ka marrë zyrtarisht (20 gusht 2026) një arsyetim pse duhet të sqarojë Opinionin Kombëtar nëse është apo jo pas heqjes së titullit Poet Kombëtar për Naim Frashërin si pjesë e skemës përfituese të Shtetit Bektashi. Nuk kanë reaguar që është një fyerje e rëndë kombëtare. Çdo prift e klerik që punë kryesore ka “shenjtërinë fetare” dhe çdo politikan apo qytetar i thjeshtë shqiptar, duhet ta ketë shumë të qartë se kombi shqiptar nuk ka shenjtëri më të lartë sesa ajo e Naim Frashërit, shenjtëri që qëndron shumë më lart sesa Nënë Tereza apo prifti franceskan Gjergj Fishta, pavarësisht vlerave që kanë të dy dhe që sigurisht i propagandojmë masivisht dhe faqet tona janë të mbushura me citimet e tyre dhe janë pjesë e programeve tona edukative, menjëherë pas Naim Frashërit.

Priftërinjtë katolikë dhe Kisha Katolike kanë zgjedhur të heshtin ndaj kërkesës së një shkolle shqipe laike, që ka reputacionin më të lartë në 30 vjetët e fundit, si në edukimin global, në edukimin kombëtar dhe në edukimin e karakterit dhe të virtyteve. Kujtojmë që jemi në shkollat e para në botë që Kembrixhi i dha për pilotim programin Global Perspectives, ku edhe çështja fetare trajtohet në kuadër të edukimit global.

SHPËRFILLJA E TURPSHME E PUBLIKUT SHQIPTAR
U kemi shkruar Departamenteve të Historisë në Universitetin e Tiranës, Akademisë së Shkencave, universiteteve, shoqatës së gazetarëve, shkollave, poetëve, shkrimtarëve, sekteve fetare, ambasdave tona, diasporës. Asnjë reagim, një shpërfillje totale dhe e turpshme, që tregon një cektësi të jashtëzakonshme në edukimin e karakterin e tyre. Është kaq acaruese shpërfilja e tyre. Tregon një shthurje totale tonin si komb.

ASKUSH NUK DO TË REAGONTE NDAJ HEQJES SË URDHRIT NËNË TEREZA DHE DITËS SË PUSHIMIT
Është koherencë edukative të heqësh Nënë Terezën pas heqjes së turpshme të Naim Frashërit. Meqë Kuvendit, publikut, akademikëve, historianëve, gazetarëve, politikanëve, partive, kishave, nuk ua ndjen fare se çfarë bëhet me Naim Frashërin, që e kanë në çdo qelizë, aq më shumë nuk do t’ua ndjejë për Nënë Terezën. Sigurisht këtë kërkesë nuk e bëjmë me ndonjë qejf të madh, por ndoshta është mirë të mos i edukojmë si hipokritë, duke mbushur mure, emra etj dhe ndërkohë kemi një komb krejt pa ndjesi dhe pa moral as fetar as të çdo lloji, pa karakter. Nëse nuk u dhimbka Naim Frashëri, unë nuk e di kush mund t’u dhemb?
Nënë Tereza qartësisht është shumë larg Naim Frashërit dhe është acaruese që të hiqet Naim Frashëri e të lihet Nënë Tereza. Publiku hipokrit shqiptar na ka provuar qartësisht se nuk e vë ujin në zjarr as për Nënë Terezën dhe me heqjen e Urdhrit “Nënë Tereza” dhe të ditës pushim, është 100% e sigurt që nuk do të reagojë askush. Përveç Kishës Katolike, që i ka varur shpresat tek prishja e ekuilibrit fetar, për të bërë konvertime me ndihmën e Shtetit Shqiptar, themi me bindje që askush tjetër nuk do të reagonte. Nëse nuk reagojnë për Naim Frashërin, ata nuk reagojnë për asgjë. Janë mpirë e shthurur totalisht në ndjesi dhe edukatë kombëtare e humane. Në këtë ka ndikuar pikërisht Sistemi Arsimor Shqiptar, i cili formatohet nga Karteli Politiko-Fetar, i cili qartësisht është vegël e të huajve.

Për publikun shqiptar sot, vlejnë vargjet e Gjergj Fishtës:

Shka bajn Shqyptarët? …Han fiq e kastraveca:
E pijn mastikë, e qesin petlla n’uej;
E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej.
Jo, po; Shqyptarët kanë sot të madh kujdes …
Njata, po thom, qi ndo’i miras e presin,
E druen se emta a gjyshi vrik s’u des:
Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,
S’çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot
Per shkarpa t’vjetra, qi kam shkye kahmot.

NË PËRFUNDIM: Nuk kemi shpresë se ju do të hiqni vërtetë Urdhrin “Nënë Tereza”, por duhet ta lëmë këtë shënim zyrtar për të plotësuar koherencën e reagimit ndaj shpërfilljes që ju masivisht i keni bërë Naim Frashërit, Vëllezërve Frashëri, Rilindjes Kombëtare, Edukimit Kombëtar, Harmonisë Fetare, edukimit të karakterit dhe të virtyteve të shqiptarit, dhe Sistemit Arsimor Shqiptar.

Një artikull tjetër që ka lidhje me temën.

KLERI BEKTASHI I NGUL THIKËN NAIM FRASHËRIT
në interes të Shtetit Bektashi, duke miratuar tinëz heqjen e titullit Poet Kombëtar
me ligjin 93/2022, duke dëmtuar rëndë Sistemin Arsimor Laik Kombëtar Shqiptar

KARTELI POLITIKO-FETAR shpronëson shqiptarët nga Naim Frashëri dhe Vëllezërit Frashëri me synimin e lig që t’i grabisë Shteti Bektashi

Dy figurat kyçe udhërrëfyese, frymëzuese të besimit bektashian janë Haxhi Bektashi që është turk dhe themelues i sektit dhe Naim Frashëri që është shqiptar dhe reformues i sektit bektashian shqiptar, reformim që me sa duket nuk ka zënë vend tek kleri bektashi shqiptar, derisa po i ngulin thikën pas shpine Naim Frashërit. Naim Frashëri është edukator më i fuqishëm sesa Haxhi Bektashi, më i gjerë, më i thellë, si në vetëdije globale dhe aq më tepër në vetëdijen kombëtare shqiptare. Naim Frashëri është më e madhja figurë e kulturës sonë kombëtare dhe këtë autoritet e ka fituar me shenjtërinë e argumentuar masivisht nga poetët dhe klerikët shqiptarë, me autorësinë e tij të sintezës së besimeve fetare, me themelimin e Sistemit Arsimor Laik Shqiptar, me autorësinë e programit të edukimit të karakterit dhe të virtyteve dhe sidomos të edukimit kombëtar! Naim Frashëri tejkalon 100-fish Nënë Terezën në shentëri, besim fetar, edukim global dhe rëndësi kombëtare, por shteti shqiptar bën të kundërtën vendos Nënë Terezën të parën dhe heq Poetin Kombëtar Naim Frashëri, duke shkatërruar sistemin edukativ laik shqiptar, për llogari të interesave të Vatikanit, i cili edhe më 5 shtator 2026 në deklarimet e veta nuk gjente ndonjë arsye kombëtare në sjelljen e Nënë Terezës, që do të na thotë se veç “frymëzimi katolik” dhe katekizmi i Vatikanit na i bënka njerëzit të virtytshëm dhe nuk mjaftonkan formimi kombëtar i nënave shqiptare, tradita e tyre mijëravjeçare. Këto arsyetime nuk ndodhin me Poetin Kombëtar Naim Frashëri, ndaj ai i duhet Kombit Shqiptar.
Sekti bektashi nuk qëndron dot në këmbë pa dy figurat kryesore Haxhi Bektashin dhe Naim Frashërin.
Sipas lajmeve të djeshme (5 shtator 2026) Forumi i zhvilluar në Haxhibektash të Nevsehirit të Turqisë, me mbështetje të Shtetit Turk doli me një deklaratë ku kundërshton me forcë konceptin e Shtetit Bektashi. Citojmë deklaratën: “ “Bektashizmi nuk është shtet, lëvizje politike apo projekt kombëtar-politik. Bektashizmi është një rrugë e urtësisë, e cila e pranon Kur’anin si libër të shenjtë, Hazreti Muhamedin si Murshid dhe Hazreti Aliun si udhërrëfyes; e brumosur me filozofinë e Hynkar Haxhi Bektash Veliut dhe me rrënjë në tesavvufin islame. Autoriteti shpirtëror i një rruge besimi nuk mund të krijohet apo të ndryshohet përmes shpalljes së sovranitetit politik, ndarjes së territorit ose lëshimit të pasaportave. Qendra historike dhe shpirtërore e rrugës bektashiane është “Shtëpia e Pirit”, pra Teqja e Haxhi Bektash Veliut, e cila ndodhet në rrethin Haxhibektash të Nevshehirit dhe ku prehet Hynkar Haxhi Bektash Veliu.” Reagimi i Turqisë dhe i klerit bektashi turk nuk lejon grabitjen e Haxhi Bektashit dhe të bektashizmit nga Shteti Bektashi i Tiranës. Këtë sigurisht kleri bektashi shqiptar e ka shumë të qartë. Atëherë me çfarë “do t’i ushqejë zogjtë bektashinj” nëse nuk e bën dot me Haxhi Bektashin? I bie me Naim Frashërin. Por Naim Frashërin ata nuk e kanë mbrojtur! Atëherë na qenka që ata duan t’ua grabisin shqiptarëve e t’ia çojnë kombit artificial bektashi. Kjo na zbulon deduksionin logjik: Kryegjyshata është autore e heqjes së titullit Poet Kombëtar për Naim Frashërin, për llogari të konceptiti Shtet Bektashi. Me ligjin 93/2022 “Për dekoratat në RSH” që u miratua në vitin 2024, dhe që ka për autor ortodoksin filogrek e frankofon Thomas Frashëri (Totoni), këshilltar i Edi Ramës që e merr me vete edhe në Vatikan, tani Kancelar i Urdhërave dhe Medaljeve iu hoq titulli Poet Kombëtar Naim Frashërit, duke hequr Urdhrin “Naim Frashëri” që ka qenë Urdhër. U la Urdhri “Nënë Tereza”, dita e pushimit për Nënë Terezën me synimin që brezave t’u flitet me gjuhën “katolike” të nderimit, pra t’u jepet sinjali “KONVERTOHUNI NË KATOLIK” ose të paktën “të krishterë”. Aurel Plasari, në parathënien e librit të Thomas Frashërit “Frashëri i shquar i panjohur” (libër sulmi kundër Vëllezërve Frashëri dhe Rilindjes Kombëtare) sjell për lexuesin shprehjen e një francezi “Më jep një shtet të jap një komb”. Aurel Plasari, Edi Rama, Thomas Frashëri, Mirela Kumbaro janë pjesë e sektit “rilindje” të cilët qëndrojnë pas shtrimit të rrugës për “Shtetin Bektashi” që sipas Aurel Plasarit do të jetë në gjendje të bëjë “një komb bektashi”. Po si do të bëhet “kombi bektashi”? Me Baba Mondin apo me Thomas Frashërin apo me Mirela Kumbaron. Natyrisht që duhet një “usta” për këtë dhe ata kanë menduar që t’ua grabisin Naim Frashërin shqiptarëve dhe t’ia japin “kombit të ri bektashian”.
Megjithëse “Udha e shkronjave” njoftoi publikun, Kuvendin e Shqipërisë, ambasadat, sektet fetare për goditjen tinzare ndaj Naim Frashërit dhe heqjen e titullit Poet Kombëtar, kleri bektashian paradoksalisht nuk reagoi, shpërfilli. Duhej të ishte i pari që reagonte. Sekti bektashian shkrihet si kripa në ujë pa Naim Frashërin. Atëherë del logjikisht se kleri bektashian i ka ngulur thikën pas shpine Naim Frashërit dhe ka qenë pjesë e aleancës për shthurjen e shqiptarëve me aleancën e kishave, shteteve të huaja (Izrael, Greqi, Vatikan, Francë, etj) që e duan Shtetin Bektashi për të shthurur kombin shqiptar, për të dëmtuar sistemin arsimor, për të dëmtuar harmoninë fetare, për të konvertuar me detyrim shqiptarët në katolikë, protestantë, ortodoksë apo hebrenj duke u justifikuar me luftën ndaj myslimanizmit, sidomos besimit shiit. Naim Frashëri mban Shqipërinë dhe shqiptarët dhe nuk mban klerin bektashi, për të cilët ai kishte kritika të forta.

S’do dëgjoj veç gjuhën që më flet pa zë:
Kjo kupore e pafund që kemi sipër,
Këto shkronja, këto radhë dhe ky libër
Të atij fytyrën çfaqin gjith’ këto,
Lexo veten, o njeri, këtu kërko!
Se je ti mëkëmbësi i tij në jetë;
Vendi prej nga del në shesh thesari i fshehtë;
Pikëz e të thellit det të gjallërisë;
Dhe një afsh nga shpirti i madh i Gjithësisë.
Për Krijuesin e përsosur flet çdo send.
Hirin e fytyrn’e tij shoh në çdo vend.

Ç’sheh, është Zot’ i vërtetë, ç’dëgjon, është zër’ i tija,
Gjithë ç’ka e s’ka në jetë, është vetë Perëndija.
Më çdo anë e kërkova: thashë: ku ‘shtë Perëndija?
Po më pastaj e mësova, qënke ndaj mej’ e s’e dija!
Kërkonja gjetkë ta gjeje Zotn’ e math e të vërtetë,
Ajy qënkej ndaj meje, e paskësha unë vetë!

Paskëtaj, o shokë, kurrë, mos kërkoni Perëndinë
Nëpër murë e nëpër gurë, po shihni mirë njerinë!
Zëmr’ e njeriut në jetë është vend’ i Perëndisë,
Ësht’ atje Zot’ i vërtetë, det’ i math i gjithësisë.
Ay është gjithësija dhe udh’ e Perëndisë,
Është vetëm njerëzija q’i duhetë njerëzisë.
NAIM FRASHËRI

NAIM FRASHËRI: POROSITË HYJNORE
Bagëti e Bujqësia, 1886

Po japim finalen e poemës, për të kuptuar se Naim Frashëri është shumë më lart dhe më edukativ sesa Nënë Tereza në shumë çështje të edukimit karakterit dhe të virtyteve të shqiptarit. Nënë Tereza ka katekizimin e Vatikanit, kurse Naim Frashëri ka shkollën shqipe.

Perëndija njerin’ e parë e mori pej dore vetë,
E zbriti mbi faqet të dheut, q’ish me lulez’e me fletë.
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’e dheut edhe kështu e porositi:
Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, në paç uratë,
mos u lodh e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë.
Sheh si punon gjithësija, ashtu të punosh edhe ti,
të mos rrish kurrë pa punë, e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
mërgohu nga të këqijat, pej çdo fare ligësije,
pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë.
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë,
po në bëfsh liksht, mos prit mirë,
ki dëshirë për të mirë, dhe në zëmërë mëshirë,
ji i but’, i urt’, i vjyer, e mos u bëj kurrë makut,
i egër’ e i mërzitur dh’i mahnitur e ladut.
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë ju nis pas;
në dëgjofsh fjalët e mija, do të jesh gjithnjë në gas.
Nga gjithë ç’pat gjithësija, të kam dhënë dhe ty pjesë;
Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt, të mësosh, të vërtetën me të ta shohç
dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’, e të drejtë të njohç.
Do të të lë dhe nevojën, udhënë të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbluar,
Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar,
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thellë e më thellë,
Çdo gjë duhet kërkoje, barku i tij do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket’ ënda!
Me fuqit, që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë.
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të març vesh dalengadale sa punëra, që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!
Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, – qofsh i mallëkuar, edhe mërguarë meje!
Të parit tënë Perëndija këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.

Perëndija Shqipërinë
e bëri për shqipëtarët,
s’e bëri për djallëzinë,
për të liqt’ e për kusarët.
Zot i math kombin tuaj
e bëri për ju të tërë.
Për fqinj e për të huaj
s’e ka bërë! s’e ka bërë!

NAIM FRASHËRI
Histori e Skënderbeut

Zoti në zëmër të ndyrë,
s’hyri dhe s’ka për të hyrë!
Se atje rri djalli vetë,
s’ qasetë Zot’ i-vërtetë.

Kish fytyrën myxyrë
dhe mënyrënë të ndyrë.

NAIM FRASHËRI
“Qerbelaja” 1898

Tregomu dhe shqipëtarëve,
udhën e punës së mbarë,
Bashkomi bëmi vëllezër,
edhe thjesht shqipëtarë .

NAIM FRASHËRI
Bagëti e Bujqësia, 1886

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne