Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka sulmuar ashpër Komisioneren për Zgjërim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, pasi kjo e fundit anuloi vizitën e saj të planifikuar në Beograd për shkak të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiç.
Gjatë një vizitë në kompaninë “Agrocons” në Mali Iđoš, Vuçiç deklaroi se nuk është i shqetësuar nga vendimi i Kos për anulimin e vizitës, por nga komentet e saj, të cilat sipas tij poshtërojnë Serbinë dhe popullin serb.
“Gjithçka ishte e pritshme, asgjë e re. Që në takimin me përfaqësuesin e Komisionit Evropian në Beograd thashë se prisja që kjo të ndodhte,” tha ai.
Presidenti serb e përshkroi arsyetimin e komisioneres Kos si “jashtëzakonisht të shkurtër, por si budallallëk si zakonisht” dhe shtoi se nuk është specifikuar se kush e ka lavdëruar Mladiçin.
“A duhej t’u ndalonim njerëzve pjesëmarrjen në varrim, ta ndalonim vetë varrimin dhe të bënim një varreza për qentë? A nuk duhej të rregullonim trafikun? Çfarë tjetër duhej të bënim?”, pyeti Vuçiç.
Më herët, Kos njoftoi se nuk do ta realizojë vizitën e planifikuar në Serbi, me arsyetimin se lavdërimet rreth vdekjes së Mladiçit janë të papajtueshme me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt BE-së. Ajo theksoi se integrimi evropian kërkon njohjen e së kaluarës, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës.
Vuçiq nuk ka lënë pa akuzuar zyrtarët evropianë për siç tha zbatimin e standardeve të dyfishta ndaj Serbisë.(INA)
