Ish-Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet i burgosur politikisht, ka shprehur në një intervistë se duhet të nis mobilizimi i Opozitës për zgjedhjet.
Pyetje: Z. Meta, pavarësisht të gjitha këtyre problemeve, Kryeministri Rama pretendon se ka 800 mijë vota dhe ka nisur fushatën për zgjedhjet vendore të Majit 2027 që pretendon t’i fitojë. A do të përfitojë dot opozita nga dështimet e tij?
Përgjigje: Nëse duhet t’i njohim një meritë Edi Ramës është se ai fushatën për zgjedhjet e ardhshme e nis që ditën e parë pas “fitores” (vjedhjes) të zgjedhjeve të radhës, pasi ai e ka kthyer në domosdoshmëri mbajtjen e pushtetit me çdo mjet për të garantuar pandëshkueshmërinë e tij dhe të rrethit të ngushtë personal.
Po kështu, investimi kryesor i tij ka qenë korruptimi i opozitarëve dhe përçarja e opozitës apo shpikja e partive të “reja” opozitare për të krijuar idenë se nuk ka alternativë.
Natyrisht për këtë i ka shërbyer në veçanti kapja totale e “Drejtësisë së Re” e cila funksionon me regji të padiskutueshme të Edi Ramës, i cili i jep leje herë pas here të procedojë apo arrestojë bashkëpunëtorë të tij për të prodhuar statistika “ndëshkuese” edhe për të “tijët”, si dhe alibinë e paanësisë për të justifikuar përndjekjet e montuara, kriminale dhe inkuizitive të kundërshtarëve të tij të pakorruptueshëm dhe të pashantazhueshëm.
Një “meritë” tjetër që nuk mund t’ia mohojmë është korruptimi i ndërkombëtarëve apo “arbitrave”.
Këtu “shkëlqen” edhe botërisht me aferën e Charles McGonigal, personi kyç i përdorur jo vetëm për të fabrikuar procese gjyqësore kundër kundërshtarëve të tij, por edhe për të kapur institucionet e “Drejtësisë të Re”.
McGonigali është Kim Filbi i kohëve tona. Natyrisht që nuk ishte i vetëm, ndaj edhe çështja u mbyll me nxitim e marrëveshje sikur të kishte vjedhur dieta shërbimi dhe jo si një komplotist i korruptuar për të shkatërruar pluralizmin politik në një vend të NATO-s e madje duke ndërhyrë në favor të oligarkëve.
Shikoni sa ka qenë kursi i euros dhe dollarit që nga vizita e parë e fshehtë e McGonigalit në shtator 2017 e sa është sot.
Sepse pa ndihmën e McGonigalëve, Edi Rama kurrë nuk do kishte mundur të kapte çdo institucion të pavarur dhe të krijonte Narkoregjimin e parë në Europë, por edhe në NATO.
Ndaj nuk hetohet çështja McGonigal në Shqipëri, ndaj nuk hetohet por lulëzon afera e tigrave rangallë të Bangladeshit që ka kaluar mbi 80 milionë euro deri tani.
Si mund të deklarojë publikisht një diplomate se marrja me qera e tigrave ishte një zgjedhje strategjike?
Ç’lidhje ka koncepti strategjik me qiranë?
Natyrisht “strategjike” ishte deklarata e saj, një ditë para se Kuvendi me 122 kartona i Edi Ramës të votonte njëanshmërisht përmbysjen e marrëveshjes pozitë-opozitë të firmosur në praninë e saj për Reformën Zgjedhore.
Ndaj tigrat e Bangladeshit vazhdojnë rrëmbejnë dhjetëra milionë euro, ndërsa pyjet e Shqipërisë po shkrumbohen.
Për opozitën është e rëndësishme jo vetëm të qartësojë dhe amplifikojë sa më shumë mesazhin e saj në kushtet e një diktature “de facto” dhe censure të jashtëzakonshme, por sidomos të fuqizojë organizimin e saj dhe të nisë seriozisht përgatitjet për zgjedhjet vendore që tani, duke gjetur rrugët më efikase për të përzgjedhur kandidatët më të pranueshëm dhe më të votueshëm nga komunitetet.
Natyrisht që kjo nuk do të thotë heqje dorë nga përpjekjet për Qeveri Teknike apo nga përpjekjet për të pamundësuar miratimin e Reformës Administrativo-Territoriale sipas variantit antikushtetues dhe antidemokratik të Edi Ramës.
Njëkohësisht opozita nuk duhet të ushqejë pritmëri naive se SPAK-u do hetojë apo dënojë Edi Ramën.
Edi Rama nuk ka gënjyer kur ka thënë se SPAK është krijesë e tij.
Dhe kjo krijesë e deformuar nisi me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota nga 84 që kërkonte Kushtetuta.
Sepse SPAK nuk ka nevojë fare të bëjë as hetim dhe as arrestim të Edi Ramës.
Prej kohësh janë bërë publike shkresat zyrtare të firmosura prej tij që kanë nevojë vetëm për t’i çuar për gjykim.
Janë firma të tij që ai i ka pranuar publikisht me krenari.
Kontrolli absolut që Rama ka mbi “Drejtësinë e Re” është tejet i riprovuar.
Edhe rregullorja e GJKKO që hyri në fuqi është e diktuar nga Edi Rama personalisht. Përse kjo nevojë lindi tani?
Sepse ndryshe nga hetimi dhe gjykimi paraprak, gjykimi me themel i çështjeve është publik sipas Kushtetutës të Republikës të Shqipërisë dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Absurditeti më i madh është se ndërsa hetimet që duhej të ishin sekret për mediat bëheshin publike me regji të Edi Ramës për të justifikuar me dizinformime përndjekjet politike të kundërshtarëve të tij, tani që sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut që gjykimi në themel duhet të jetë publik, Edi Rama shpik një rregullore mbi Kushtetutën që të përzgjedhi vetë edhe gazetarët që mund të jenë në sallën e gjyqit në mënyrë intimiduese pikërisht për ti pamundësuar opinionit publik informimin transparent e në kohë reale.
Sepse Edi Rama e di shumë mirë që këto proçese janë politike dhe pa asnjë provë dhe fakt penal, siç është rasti im.
Sepse edhe në të gjithë këtë proçes të fabrikuar, kudo ka vetëm firma të Edi Ramës për të cilat ai duhet të paraqitet në Gjykatë si dëshmitar, siç e kemi kërkuar.




















