Biznesmeni Luan Muça ka reaguar publikisht për konfliktin e ndodhur në Vlorë, duke dhënë versionin e tij lidhur me përplasjen me armë me biznesmenin Vasil Bedinaj.
Muça thotë se kishte shkuar në ambientet e biznesit të Bedinajt në Orikum për të diskutuar mbi një konflikt të lidhur me pronësinë dhe zhvillimin e një sipërfaqeje toke në Palasë. Sipas tij, takimi nuk shkoi në drejtimin e një sqarimi, por u tensionua dhe situata përfundoi me të shtëna me armë zjarri.
Në reagimin e tij, Muça pretendon se Bedinaj ishte i shoqëruar nga persona të armatosur dhe se këta persona kanë qëlluar në momentin kur ai dhe familjarët e tij po largoheshin nga ambientet e hotelit.
Ai kërkon që Policia e Shtetit të hetojë ngjarjen, të identifikojë personat që kanë qëlluar me armë dhe të verifikojë pretendimet e të dyja palëve.
Muça: Kam investuar prej vitesh në Palasë
Në deklaratën e tij, Luan Muça shpjegon se investimi në zonën e Palasës ka nisur prej vitit 2019. Sipas tij, gjatë këtyre viteve ai ka blerë rreth 97 mijë metra katrorë tokë nga pronarë të ndryshëm vendas, duke pretenduar se në disa raste është detyruar ta blejë të njëjtën sipërfaqe më shumë se një herë.
Muça thotë se më 15 korrik 2021 ka përfituar statusin e investitorit strategjik, mbi bazën e një projekti të hartuar nga studioja ndërkombëtare EEA.
Më tej, ai shprehet se në vitin 2022 ka aplikuar për fazën e parë të një projekti hotelerie mbi një sipërfaqe prej rreth 26 mijë metrash katrorë. Sipas tij, leja është zbardhur në vitin 2024 dhe punimet për ndërtimin e hotelit kanë nisur po atë vit.
Në vijim, Muça thotë se ka aplikuar edhe për fazën e dytë të projektit.
Pretendimi për pronën në Palasë
Sipas versionit të biznesmenit, situata është përshkallëzuar pasi ai ka parë në rrjetet sociale se ishte dhënë një leje ndërtimi në një sipërfaqe që pretendon se është pjesë e tokës së blerë prej tij.
Muça pretendon se në rrjetet sociale po reklamoheshin për shitje njësi të ndryshme, përfshirë apartamente dhe vila, çka e ka shtyrë t’u drejtohet institucioneve për të marrë informacion të mëtejshëm.
Ai thotë se pas komunikimit me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit është informuar se dokumentacioni i palëve do të verifikohej dhe se, deri në përfundimin e këtij procesi, nuk do të bëhej zbardhja e lejes së ndërtimit.
Sipas Muçës, pak kohë më pas është telefonuar nga Vasil Bedinaj, i cili i ka kërkuar të mos vijonte me pretendimet e tij pranë institucioneve.
Të dy, sipas tij, kanë rënë dakord të takoheshin në Orikum për të diskutuar çështjen.
“Bedinaj ishte i shoqëruar nga persona të armatosur”
Muça shprehet se nuk ishte hera e parë që takohej me Bedinajn. Ai pretendon se rreth një vit më parë biznesmeni ishte paraqitur në kantierin e tij në Palasë për të diskutuar mbi kufijtë e pronës dhe se edhe në atë rast kishte qenë i shoqëruar nga disa persona të armatosur.
Për takimin e fundit në Orikum, Muça thotë se shkoi së bashku me familjarë të tij, pas ftesës që kishte marrë nga Bedinaj.
Sipas versionit të tij, fillimisht të dy u ulën për të diskutuar mbi pretendimet lidhur me pronën, por biseda u tensionua shumë shpejt.
Muça pretendon se Bedinaj ka nisur të debatojë, duke e ofenduar dhe duke thirrur persona të armatosur që ndodheshin në ambiente të ndryshme të biznesit.
“Kur kuptova se situata nuk po shkonte drejt një sqarimi, por po merrte një tjetër drejtim, vendosa të largohesha”, shprehet Muça në reagimin e tij.
“U qëllua me armë në momentin që po largoheshim”
Pjesa më e rëndë e deklarimit të biznesmenit lidhet me momentin e largimit nga ambientet e hotelit.
Muça pretendon se, teksa ai dhe personat që e shoqëronin po dilnin nga ambientet e biznesit, ndaj tyre janë qëlluar me armë zjarri.
Për këtë arsye, ai kërkon nga autoritetet që të kryejnë një hetim të plotë dhe të identifikojnë personat që, sipas tij, kanë përdorur armët.
“Policia e Shtetit duhet të zbardhë të gjithë ngjarjen dhe të identifikojë personat që kanë qëlluar”, shprehet ai.
Akuzat për “gjobëvënie”
Në reagimin e tij, Muça ndalet edhe te mënyra se si është pasqyruar konflikti në media.
Ai kundërshton pretendimet se i ka vendosur gjobë Vasil Bedinajt dhe thotë se, sipas tij, janë publikuar pamje të përzgjedhura nga kënde të caktuara, duke krijuar një version të njëanshëm të ngjarjes.
Muça shprehet gjithashtu se është mbajtur i ndaluar për 72 orë nën dyshimin për gjobëvënie ndaj Bedinajt.
Ai pretendon se kjo akuzë është e pavërtetë dhe se versioni i ngjarjes duhet të përcaktohet përmes hetimit dhe provave.
“Kam kompani në katër kontinente”
Duke iu përgjigjur indirekt pretendimeve për motivet e konfliktit, Muça flet edhe për aktivitetin e tij ekonomik.
Ai deklaron se është përfshirë në krijimin dhe zhvillimin e një grupi kompanish që, sipas tij, operojnë në katër kontinente.
Në deklaratë përmenden Shtetet e Bashkuara, India, Italia, Senegali, Tunizia, Egjipti dhe vendet e Ballkanit, ndërsa Muça pretendon se kompanitë kanë një aktivitet me qarkullim vjetor në vlera multimilionëshe.
Në fund të reagimit, biznesmeni shprehet se është i gatshëm t’u vërë në dispozicion mediave dhe opinionit publik dokumentacionin që lidhet me pretendimet e tij për pronën dhe projektin në Palasë.
Muça e mbyll deklaratën duke këmbëngulur se çështja duhet të sqarohet përmes dokumenteve, hetimit dhe provave zyrtare.
Reagimi i plotë:
Kam heshtur deri tani, sepse në pozitën ku kam qenë e kam pasur të pamundur të flas dhe mendoj se publiku ka të drejtën ta dëgjojë të vërtetën drejtpërdrejt nga unë.
Që prej vitit 2019, kam vendosur të ndërmarr një investim në zonën e Palasës. Gjatë kësaj kohe, kam blerë në Palasë, nga shumë pronarë vendas, 97.000 m² tokë. Jam detyruar që, gjatë kësaj periudhe, pjesën më të madhe të tokës ta blej edhe nga dy herë.
Më datë 15.07.2021, kam aplikuar dhe kam marrë statusin e investitorit strategjik, mbështetur mbi një projekt të hartuar nga studioja ndërkombëtare EEA (Emre Arolat Architecture).
Në vitin 2022, mbi një pjesë të kësaj sipërfaqeje (26.000 m²), kam aplikuar për lejen e fazës së parë të ndërtimit të një hoteli me brand ndërkombëtar, me 5 yje.
Në vitin 2024, kam zbardhur lejen dhe kam filluar punimet për ndërtimin e këtij hoteli me brand ndërkombëtar.
Po në vitin 2024, kam bërë aplikim për fazën e dytë të këtij projekti.
Në mënyrë rastësore, nga rrjetet sociale, kam parë se ishte dhënë një leje në tokën që unë kam blerë dhe mbi të cilën ishte dhënë statusi i investitorit, sipas masterplanit të EEA Studio. Madje, po reklamohej për shitjen e njësive, apartamenteve apo vilave të ndryshme.
Pas kësaj, i jam drejtuar AZHT-së për të marrë më shumë informacion rreth kësaj çështjeje. Pas komunikimit që pata, më njoftuan se do të verifikoheshin të gjitha dokumentet e palëve dhe se, deri në momentin e përfundimit të verifikimit të dokumenteve, nuk do të kishte zbardhje të lejes së ndërtimit.
Pas rreth një ore, jam telefonuar nga shtetasi Vasil Bedinaj, i cili më kërkoi të mos i ekspozoja në AZHT pretendimet e mia mbi pronën time. Gjatë kësaj telefonate, u vendos që të takoheshim në Orikum, te hoteli i z. Bedinaj, për të diskutuar rreth kësaj situate. (Z. Bedinaj e kam njohur rreth një vit më parë, pasi ishte paraqitur në kantierin ku unë po ndërtoj në Palasë, duke kërkuar takim me mua në lidhje me disa pretendime që kishte për kufirin e pronës. Kur shkova atje, z. Bedinaj nuk ishte vetëm, por ishte i shoqëruar nga një numër i madh njerëzish të armatosur.)
Kështu, i shoqëruar nga familjarë të mi, kam shkuar, me ftesën e tij, në ambientet e biznesit të tij.
Pasi jemi takuar në Orikum dhe jemi ulur në tavolinë, sapo kam nisur t’i shpjegoj pretendimet e mia, z. Bedinaj e ka tensionuar situatën me pretendimet e veta, duke sharë dhe ofenduar.
Edhe pse nga kamerat që z. Bedinaj i ka servirur opinionit publik kjo nuk duket qartë, në këtë moment ai thirri njerëz të armatosur, të cilët ishin të pozicionuar në vende të ndryshme të ambienteve të tij.
Në këtë moment, situata ka degraduar dhe unë kam kuptuar se z. Bedinaj nuk më kishte thirrur për t’u sqaruar, por për të prodhuar skandalin e tij të radhës. Për këtë arsye, jam ngritur dhe kam ikur.
Duke dalë nga ambientet e z. Bedinaj, njerëzit që ai thirri qëlluan me armë ndaj nesh. Për sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e plotë të grupit të qitësve.
Jam çuditur shumë që, gjatë kësaj situate, z. Bedinaj kishte qetësinë dhe përkujdesjen që, në të gjitha mediat mbi të cilat kishte ndikim, të shpërndante lajme të rreme, sipas të cilave unë i kisha vendosur gjobë, si dhe të shpërndante pamjet filmike nga këndet që ai dëshironte.
Kam mësuar këto ditë se nuk është hera e parë që z. Bedinaj manipulon opinionin publik për përplasjet e tij. Këtë gjë ka tentuar ta bëjë edhe në rastin tim.
Çuditërisht dhe paradoksalisht, të vetmit që e kanë besuar këtë gjë kanë qenë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët më kanë mbajtur të ndaluar për 72 ore me akuzën e gjobëvënies ndaj z. Bedinaj.
Unë nuk mund të flas për veten time, pasi nuk e kam bërë kurrë më parë, sepse kam besuar se për njerëzit flasin punët dhe veprat e tyre.
Besoj se opinioni publik është i njohur me punët, brandet dhe kompanitë që kemi krijuar brenda dhe jashtë vendit.
Modestisht, mund të them se jam krijues dhe zhvillues i një konglomerati kompanish që operojnë në 4 kontinente, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Indinë, si dhe vende si Italia,Senegali, Tunizia, Egjipti dhe, sigurisht, Ballkani, me një qarkullim vjetor multimilionësh.
Në këtë kontekst, fantazia e gjobës ndaj një personi me pantallona të shkurtra, i cili rrihet çdo vit me ndonjë turist, polic apo plazhist, është një fantazi dashakeqe e një grupi personash që mendojnë se, duke vjedhur pronat e të tjerëve, mund të bësh edhe para, të dalësh edhe burrë i mirë dhe të quhesh biznesmen.
Në fund, jam i gatshëm t’i vendos në dispozicion opinionit publik dhe mediave çdo dokument për të cilin kam shkruar në këtë reagim.
Luan Muça
Delta Corporatin







