Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se ekziston dyshimi që një pjesë e arsenalit të armëve të konfiskuara sot në zonën e Kalludrës, në Zubin Potok, mund të ketë lidhje me një prej rasteve të rënda të vrasjeve masive gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Deklarata e Hoxhës erdhi pas prezantimit të armëve, municionit dhe pajisjeve ushtarake të sekuestruara gjatë operacioneve policore në veri të Kosovës. Gazetarët e pyetën drejtorin e Policisë nëse ekziston mundësia që këto armë të jenë përdorur në masakrat e kryera gjatë luftës, veçanërisht në një zonë ku së fundmi janë zbuluar edhe varreza masive dhe mbetje mortore.
Hoxha tha se kjo është një nga pistat që po hetohet, por theksoi se një përfundim i tillë nuk mund të bëhet pa përfunduar ekzaminimet forenzike.
Sipas tij, një pjesë e armëve të sekuestruara mund të jenë përdorur në rastin e “Grupit të Intelektualëve”, por kjo duhet të konfirmohet përmes analizave laboratorike në Kosovë dhe, nëse do të jetë e nevojshme, edhe jashtë vendit.
“Normal që këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive te rasti i Grupit të Intelektualëve”, deklaroi Hoxha, duke shtuar se armët do të ekzaminohen një nga një.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Agjencia e Forenzikës do të nisë menjëherë ekzaminimin e arsenalit të sekuestruar.
Sveçla tha se ka kërkuar që procesi të zhvillohet me prioritet dhe në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit e Policisë së Kosovës.
Sipas tij, nëse analizat shkencore do të konfirmojnë lidhjen e armëve me krime të kryera gjatë luftës, institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë.













