Lajme

Ymeri i reagon ashpër Abdixhikut: Nga sot, deklaratat e tij do t’i shihni në videot propagandistike të VV-së

09/03/2026 13:46
nga:L J

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në paraqitjen e tij të mbrëmshme në Kanal10.

Ymeri ka kritikuar Abdixhikun, duke pretenduar se ai ka shtrembëruar deklaratat e saj lidhur me qëndrimin ndaj kandidaturës për president dhe organeve të LDK-së.

“​​Nga sot, në videot propagandistike të Vetëvendosjes do të shihni edhe deklaratat e z. Abdixhiku duke sulmuar deputetët e tij, ndonëse ky i fundit është kryetar i LDK-së dhe jo i Vetëvendosjes”, ka shkruar Ymeri.

Ajo ka thënë se, përveç sulmeve, sipas saj, janë bërë edhe deklarata të pavërteta në lidhje me qëndrimin e saj.

“E para, ferizajasit nuk flasin me ‘s’nDi’… kush më njeh e di se si flas”, ka deklaruar ajo.

Ymeri ka mohuar gjithashtu se ka përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin e LDK-së, duke theksuar se vetë është pjesë e Këshillit të Përgjithshëm.

“Përkundrazi, kam shprehur kundërshtimin tim për kandidaturën presidenciale, për shkak se jam deklaruar që para zgjedhjeve kundër votës për VV-në, por edhe për shkak të profilit të kandidatit”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Ajo ka thënë se e ka bërë të qartë se i respekton vendimet e organeve të partisë, por se kundërshtimi ndaj kandidaturës mbetet qëndrimi i saj personal.

“Se pse është ndjerë në hall kryetari i partisë sime për të shpikur deklarata të paqena nuk e di, por unë kam dëshmitarë 15 deputetë të tjerë, 1 anëtar kryesie dhe 2 persona nga stafi i selisë, të cilët ishin të pranishëm në sallë”, ka deklaruar Ymeri.

Në fund të reagimit, Ymeri ka hedhur akuza edhe për atë që e ka cilësuar si “skenë negociatash”, duke ngritur dyshime se pas saj mund të fshihet çështja e tregtisë me energjinë elektrike.

“Thënë këtë, jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike”, ka shkruar ajo.