Ditari i Opozitës

Berisha sulmon Ramën nga Amerika: Duhet të shembim narkoshtetin antishqiptar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar para shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, se Shqipëria ndodhet përballë një situate të rëndë dhe duke akuzuar qeverinë Rama për lidhje me krimin dhe korrupsionin.

Berisha tha se, pavarësisht se vizita e tij në SHBA mund të konsiderohet një moment triumfi, shqiptarët nuk duhet të ndihen të përmbushur për sa kohë, vendi po përballet me probleme të thella.

Ai e cilësoi qeverisjen Rama si një “narkoshtet antishqiptar”, duke akuzuar mazhorancën se ka lidhje me kartelet e drogës dhe se ka kapur institucionet e drejtësisë, mediat dhe administratën.

Kryedemokrati u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen në përpjekjen për të “çliruar Shqipërinë nga kthetrat e ekstremit të majtë”.

Berisha: Dita e sotme mund të jetë për ne një moment përmbushje dhe triumfi, por ne si shqiptarë kemi disa arsye shumë të forta që sot të mos jemi të përmbushur, të mos ndjehemi të përmbushur dhe triumfues. Jo dhe jo.

Sepse Shqipëria, dheu ynë i dashur, po rrokulliset ndoshta më shumë se kurrë në ekzistencën e saj. Në Shqipëri ekstremi i majtë që ka lindur nga krimi, ka sunduar me krimin, është shartuar, është shartuar me kartelet e drogës të cilat presidenti i Shteteve të Bashkuara me shumë të drejtë po i krahason me organizatat terroriste.

Duke sjellë kështu në jetë një monstër të rrezikshme që ushqehet me paratë e shqiptarëve ditë e natë, që lë spitalet pa ilaçe dhe mjeron të sëmurët shqiptarë, që ka rrënuar arsimin në një shkallë ekstreme, që ka shkatërruar drejtësinë dhe kontrollon atë, duke e bërë bashkë me dy-tre vite burg ata që kanë vjedhur miliona dhe pastaj i liron që të shijojnë paratë e tyre, siç ka ndodhur me Tahirin, Dakon, Beqajn, Çyrbjen, Bllakon e të tjerë, që janë liruar nga qelia dhe nuk u kanë kthyer shqiptarëve asnjë qindarkë të vjedhur.

Ka zbrazur Shqipërinë me mbi 1 milion vetëm në zonën e Shengenit, sipas shifrave të Bashkimit Evropian. Ky narkoshtet antishqiptar është themeluar dhe drejtohet nga një individ i vetëm, që ka mbledhur të gjitha pushtetet në duart e tij, më shumë se diktatori i fundit, që sundon shqiptarët duke mos lejuar zgjedhje të lira, që ka shuar përfundimisht kufirin midis partisë dhe shtetit.

Ky monstër me emrin Edi Rama bllokon drejtësinë me 83 mandatet e krimit, siç patë në rastin e Lubi Ballukut, ku nuk u votua heqja e saj e imunitetit. Ky monstër me emrin Edi Rama kontrollon mediat kombëtare.

Miqtë e mi, nëse duam të shembim narkoshtetin antishqiptar, nëse duam të çlirojmë Shqipërinë nga kthetrat e ekstremit të majtë, askush nuk duhet të harrojë: Partia Socialiste është themeluar mbi krimin kombëtar dhe tradhtinë kombëtare, ka qeverisur me krimin kombëtar, vazhdon të qeverisë me krimin kundër shqiptarëve.

Të fundit