Rastet me fruth në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë këtij viti. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nga 16 prilli deri më 30 gusht janë konfirmuar 151 raste, ndërsa mbi 95 për qind e të prekurve kanë qenë të pavaksinuar, përcjell Gazeta Metro.
Nga janari deri në gusht janë imunizuar 8 mijë e 540 fëmijë. Shefja e vaksinimit në QKMF në Prishtinë, Xhevrie Canolli, ka theksuar se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve të saj.
“Vaksinimi është mënyra më e sigurt dhe më efektive në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të fruthit në vendin tonë. Marrë parasysh komplikimet serioze shëndetësore që mund të shkaktojë fruthi, si pneumonia, otiti që mund të komplikohet edhe me humbje të përhershme të dëgjimit pastaj encefalitja apo inflamacioni i trurit, që në raste të rënda mund të lërë pasojë të përhershme apo edhe të shkaktojë vdekje atëherë përfitimi nga vaksinimi është shumë më i madh se sa rreziku nga efektet e mundshme anësore”, tha ajo për Kosova Press.
Canolli u ka bërë thirrje prindërve të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se u mungon vaksina kundër fruthit, të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare.
Të njëjtin apel e ka përsëritur edhe IKSHPK-ja, duke e cilësuar vaksinimin si mbrojtjen më të mirë ndaj fruthit./gazetametro.net