E hënë, 14 Shtator 2026 Zilia deri në 01:45 Në vijim ora 01:45: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Mitsotakis mesazh për Shqipërinë: Ka progres drejt BE-së, por duhet më shumë punë për mbrojtjen e minoritetit

Ilustrim · Vizion Plus

“Greqia është në mënyrë të qëndrueshme në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por kjo nuk do të thotë se të gjitha vendet trajtohen njësoj. Çdo rast është i veçantë dhe progresi i çdo vendi drejt Evropës vlerësohet individualisht. Natyrisht, varet edhe nga gjykimi i të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian se kur do të hapet dhe kur do të mbyllet secili kapitull i negociatave me Bashkimin Evropian”.

Ky mesazh  vjen nga kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, në Konferencën Ndërkombëtare të Selanikut.

Mitsotakis tha se Athina ka ende shqetësime për situatën e minoritetit grek në Shqipëri, veçanërisht sa i takon pronave dhe garantimit të të drejtave të tij.

“Nuk është i mjaftueshëm progresi që është bërë në regjistrimin e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave. Dhe të jeni absolutisht të sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona, në mënyrë që të jemi plotësisht të sigurt se të drejtat e pakicës mbrohen. Dhe e dini, kjo nuk është një çështje dypalëshe. Është një çështje që lidhet me të drejtën evropiane, me mbrojtjen e të drejtave”, tha Mitsotakis.

Megjithatë, kryeministri grek nuk përmendi mundësinë e vetos ndaj Shqipërisë. Përkundrazi, ai e cilësoi Tiranën dukshëm më përpara se Shkupi në procesin e integrimit evropian.

“Maqedonia e Veriut nuk ka përparim të konsiderueshëm në negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian. Ky vend është në një fazë shumë më të hershme krahasuar me Shqipërinë”, u shpreh Mitsotakis.

Deklarata e Mitsotakis vjen në një moment kur marrëdhëniet Tiranë-Athinë janë përmirësuar, pas tensioneve të krijuara nga çështja e Fredi Belerit. Një tjetër moment i rëndësishëm pritet në vitin 2027, kur Greqia do të marrë Presidencën e Këshillit të BE-së, ndërsa Shqipëria synon të mbyllë negociatat e anëtarësimit.

/vizionplus.tv

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh