Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore 2026, pas përfundimit të procesit të administrimit, vlerësimit dhe përpunimit të të dhënave.
Sipas njoftimit të ministrisë, në afatin e dytë të testit kanë marrë pjesë gjithsej 4,433 kandidatë. Prej tyre, 2,444 kandidatë e kanë kaluar me sukses provimin, apo 55.1 për qind e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve.
Arritshmëria mesatare e përgjithshme në test ishte 43.2 pikë.
Sipas lëndëve, rezultatet mesatare ishin:
Gjuhë amtare: 49.3 pikë
Gjuhë angleze: 44.1 pikë
Matematikë: 36.4 pikë
Lënda zgjedhore: 42.9 pikë
Gjatë administrimit të provimit, 18 kandidatë janë larguar nga testi për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe procedurave të përcaktuara për administrimin e Testit të Maturës Shtetërore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka falënderuar të gjithë personat e angazhuar në organizimin dhe administrimin e testit për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit.


