Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi është sot më i sigurt se kurrë më parë, duke e lidhur këtë me forcimin e Policisë së Kosovës dhe shtrirjen e saj në të gjithë territorin.
Gjatë ceremonisë së organizuar për 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, Kurti vlerësoi sakrificat e pjesëtarëve të këtij institucioni dhe punën e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Kosova është më e sigurt se kurrë më parë, sepse Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi veçanërisht forcimin e pranisë policore në veri të vendit, duke deklaruar se janë ngritur dhe konsoliduar më shumë se 20 stacione dhe baza policore në këtë zonë.
“Janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione dhe baza policore në gjithë veriun, aty ku më parë nuk kishte asnjë stacion policor”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, rritja e pranisë institucionale në veri ka ndihmuar edhe në zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok, ndërsa lufta kundër kriminalitetit mbetet një prej prioriteteve kryesore të institucioneve të sigurisë.
“Krimi nuk ka vend në Kosovë”, tha Kurti, duke vlerësuar rezultatet e arritura nga Policia e Kosovës në këtë drejtim.
Kryeministri në detyrë u ndal edhe te policët që kanë humbur jetën në krye të detyrës, duke i cilësuar ata si heronj të Kosovës dhe duke nderuar sakrificën e tyre për sigurinë e qytetarëve.
Kurti foli gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë, duke e cilësuar atë si një përforcim të mëtejshëm të kapaciteteve të sigurisë së vendit.
“Themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si një përforcim shtesë, me mandat të qartë për sigurinë e vijës ajrore dhe tokësore të vendit”, tha ai.
Në përfundim, Kurti e cilësoi 6 Shtatorin, Ditën e Policisë së Kosovës, si një ditë nderimi për të gjithë ata që kontribuojnë për paqen, sigurinë dhe dinjitetin e vendit.
“6 Shtatori është dita e Policisë, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe e të gjithë atyre që angazhohen që shteti të ketë paqe, siguri dhe dinjitet”, deklaroi Kurti.


