Kurti paralajmëron institut të ri për energjinë, Prizreni shihet si lokacioni i mundshëm

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot në Zyrën e Kryeministrit është diskutuar për themelimin e një instituti kërkimor që do të fokusohet në sektorin e energjisë.

Kurti ka thënë se sektori i energjisë është shndërruar në një sfidë globale dhe se Kosova në vitet e ardhshme do të përballet me vendime të rëndësishme lidhur me projektet energjetike, kostot dhe mënyrën e financimit të tyre.

“Sot, në Zyrën e Kryeministrit, diskutuam për themelimin e një instituti kërkimor për energjinë. Ky sektor tashmë është shndërruar në sfidë globale dhe vitet përpara do të na sjellin një varg vendimesh të mëdha në këtë fushë, nga projektet që duhet e do t’i ndërtojmë, te kostot e tyre dhe mënyra e financimit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, këto vendime kërkojnë hulumtim, përllogaritje dhe burime njerëzore me ekspertizë në fushën e energjisë.

Kurti ka theksuar se Kosova deri më tani ka përfituar mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë dhe ka bashkëpunuar me ekspertë vendorë e të huaj në projekte të ndryshme.

“Ajo çfarë aktualisht na duhet është vazhdimësia institucionale për të ruajtur përvojën dhe dijen nga projektet e ndërtuara dhe ato në zhvillim”, ka deklaruar ai.

Sipas Kurtit, instituti i propozuar mund të shërbejë si adresë për angazhimin e inxhinierëve dhe hulumtuesve nga Kosova, por edhe të profesionistëve nga diaspora.

“Ky institut do të mund të jetë adresa e angazhimit të shumë inxhinierëve dhe hulumtuesve sa vendorë aq edhe të tillë që kemi në Gjermani, Zvicër e Austri, e gjithandej në mërgatë, të cilët duan të kontribuojnë për Kosovën”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se vendi i propozuar për institutin është Prizreni, konkretisht Parku për Inovacion dhe Trajnim.

“Prizreni ka studentë, ka hapësirë dhe ka një ambient tashmë që është në funksion”, ka thënë Kurti.

Në diskutimin për konceptin e institutit, sipas tij, kanë marrë pjesë profesorë, hulumtues, përfaqësues të industrisë dhe partnerë ndërkombëtarë.

Kurti ka falënderuar ministritë përkatëse dhe partnerët gjermanë për punën e bërë deri më tani.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika