Rajoni

Harta e re e botës në OKB, Serbia abstenon: Kosova paraqitet si shtet i pavarur

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar këtë javë një rezolutë për përdorimin e një harte të re të botës, e cila synon të paraqesë më saktë përmasat reale të kontinenteve, veçanërisht të Afrikës.

Rezoluta mori mbështetjen e 164 shteteve, ndërsa vetëm Shtetet e Bashkuara votuan kundër. Gjashtë vende zgjodhën të abstenojnë, mes tyre edhe Serbia.

Beogradi e lidhi vendimin për abstenim me mënyrën se si paraqitet Kosova në hartën e re. Sipas Ministrisë së Jashtme serbe, përdorimi i projeksionit Equal Earth e paraqet Kosovën si një shtet të veçantë, gjë që Serbia thotë se bie ndesh me qëndrimin e saj kushtetues dhe interesat kombëtare.

Në një përgjigje për BBC në gjuhën serbe, ministria deklaroi se propozimi, ndonëse synon të korrigjojë atë që e cilëson si një padrejtësi historike në paraqitjen e hartës së botës, nuk mund të mbështetet nga Serbia për shkak të mënyrës së paraqitjes së Kosovës.

Rezoluta është propozuar nga Togo, shtet afrikan që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2014. Serbia pretendon se Togo e ka tërhequr njohjen në vitin 2019, një qëndrim që lidhet me fushatën e Beogradit për çnjohjen e Kosovës.

Për Serbinë, çështja e paraqitjes së Kosovës në hartat ndërkombëtare mbetet pjesë e mosmarrëveshjes së saj të vazhdueshme me Prishtinën për statusin e Kosovës.

 

Të fundit