Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë fjalimit, ai vlerësoi angazhimin e zyrtarëve policorë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke veçuar profesionalizmin, guximin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve dhe institucioneve të vendit.
“Policia ka dëshmuar se profesionalizmi, guximi dhe përkushtimi janë në shërbim publik dhe janë vlera mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet shteti. Policia e Kosovës ka ndërtuar një histori të pasur institucionale, të shoqëruar me etapa të rëndësishme, sfida të shumta dhe përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha”, deklaroi Sveçla.
Sveçla theksoi se, pavarësisht zhvillimeve ndër vite, detyra themelore e Policisë mbetet garantimi i sigurisë, mbrojtja e qytetarëve dhe ruajtja e sovranitetit e integritetit territorial.
“Pavarësisht ndryshimeve dhe rrethanave të kohës, një gjë ka mbetur e pandryshuar, misioni i saj për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Në ceremoninë e përvjetorit u nderuan edhe pjesëtarët e Policisë që humbën jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
“Në këtë 27-vjetor kujtojmë me respekt të thellë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata janë pjesë e pandashme e historisë së këtij institucioni dhe dëshmia më e lartë e përkushtimit ndaj qytetarëve dhe Republikës”, deklaroi ai./gazetametro.net