Liqeni i Kallabakut, destinacioni që tërheq 65% të vizitorëve të Parkut Korab-Koritnik

6 September, 2026 - 19:55

Mes peizazheve të egra malore të Kukësit, pranë fshatit piktoresk të Novosejës, liqeni i Kallabakut po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe turizmit të aventurës.

Ujërat e pastër të liqenit, të rrethuar nga kullotat alpine, pyjet dhe relievi madhështor malor, krijojnë një panoramë të veçantë. Ndërsa mundësitë për ecje, eksplorim, fotografi dhe aktivitete sportive si kajaku e bëjnë këtë zonë një atraksion të veçantë për vizitorët.

Një tjetër element që e bën këtë destinacion edhe më tërheqës është “Shtegu i ngjyrave”, një itinerar natyror që nis nga zona e liqenit, duke u ofruar turistëve të eksplorojnë peizazhin, florën dhe faunën e zonës.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Lefter Gjana tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në fund të muajit gusht 2026, Parku Natyror Korab-Koritnik është vizituar nga rreth 8 750 vizitorë vendas dhe të huaj, ndërsa liqeni i Kallabakut përbën një nga destinacionet kryesore të vizitës, duke përfaqësuar rreth 65% të fluksit të përgjithshëm të evidentuar në territorin e parkut”.

“Ky numër tregon potencialin e madh që ka zona për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit të natyrës, veçanërisht të ecjeve në natyrë (hiking), trekking-ut, fotografisë së natyrës, vëzhgimit të biodiversitetit dhe aktiviteteve të tjera të turizmit të aventurës”, tha Gjana.

Sipas tij, rritja e interesit të vizitorëve për këtë destinacion dëshmon gjithashtu për rëndësinë që kanë investimet në infrastrukturën e lehtë turistike, sinjalistikën, mirëmbajtjen e shtigjeve, pikat e informacionit dhe promovimin e vlerave natyrore e kulturore të zonës.

“Përveç vlerave të saj turistike dhe peizazhore, zona e liqenit të Kallabakut ka rëndësi edhe nga pikëpamja e ruajtjes së biodiversitetit dhe e menaxhimit të qëndrueshëm të territorit. Prania e habitateve natyrore dhe e elementeve të veçanta të peizazhit malor e bën këtë zonë një pikë të rëndësishme për edukimin mjedisor dhe ndërgjegjësimin e vizitorëve mbi nevojën për mbrojtjen e natyrës”, theksoi Gjana.

Në këtë kuadër, shton Gjana, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Kukës, në bashkëpunim me aktorët vendorë dhe komunitetin lokal, vijon të ketë në fokus promovimin e vlerave natyrore të Parkut Natyror Korab-Koritnik, mirëmbajtjen dhe promovimin e shtigjeve turistike, përmirësimin e përvojës së vizitorëve dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e mjedisit.

Liqeni i Kallabakut, së bashku me “Shtegun e ngjyrave” dhe destinacionet e tjera natyrore të Parkut Natyror Korab-Koritnik, përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në qarkun e Kukësit, duke krijuar njëkohësisht mundësi për promovimin e territorit, mbështetjen e ekonomisë lokale dhe rritjen e interesit të vizitorëve vendas dhe të huaj.

Ruajtja e karakterit natyror të zonës, menaxhimi i fluksit të vizitorëve dhe orientimi i zhvillimit turistik në përputhje me parimet e mbrojtjes së natyrës janë elementë thelbësorë për të garantuar që liqeni i Kallabakut të vijojë të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme dhe më tërheqëse të Parkut Natyror Korab-Koritnik edhe në të ardhmen.

Liqeni i Kallabakut mbetet një ftesë e hapur për të gjithë ata që kërkojnë të zbulojnë natyrën e paprekur të Kukësit. Një destinacion ku aventura, qetësia dhe bukuria e peizazhit ndërthuren, duke e kthyer çdo vizitë në një përvojë të veçantë në zemër të Parkut Natyror Korab-Koritnik./atsh/KultPlus.com

Të ngjashme