Gazetari Rexha: Takimet Kurti-Abdixhiku mbeten të paqarta, Vetëvendosje synon zgjedhjet më 27 dhjetor

2 Shtator 2026 | 22:36

Gazetari Xhemajl Rexha, në një lidhje direkte për emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ka sjellë përditësime lidhur me situatën aktuale të zgjedhjeve presidenciale në Kosovë.

Sipas Rexhës, arsyeja e takimeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet e paqartë, duke qenë se deputetët nuk dëshirojnë të ndryshojnë qëndrim apo t’i mundësojnë Vetëvendosjes zgjedhjen e presidentit.

“Nuk është e qartë se për çfarë po vazhdojnë takimet e zotit Kurti me zotin Abdixhiku. Nuk ka asnjë lloj mundësie që të bëhen 80 numra, pasi këta gjashtë deputetë janë kundër. Nuk e ndryshojnë qëndrimin e tyre. Edhe nëse del një kandidat tjetër, nuk duan t’ia mundësojnë Vetëvendosjes që ta zgjedhë presidentin. PDK-ja dhe Aleanca janë krejtësisht jashtë procesit, e kanë rikonfirmuar edhe dje, edhe sot. Nuk duan të bëhen pjesë e procesit të zgjedhjes së presidentit të ri, do ta bojkotojnë këtë seancë për zgjedhjen e presidentit. Dhe numrat janë 74. E tha edhe më përpara zoti Kurti, herën e kaluar, kur kishin propozuar Feride Rushitin, ishin 64 numra; tani janë 74, por janë gjashtë më pak”, u shpreh ai.

Gazetari gjithashtu bëri të ditur se deri më 4 tetor pritet të provohet zgjedhja e presidentit, duke i lënë kohë procesit.

“Ajo që pritet të ndodhë është që brenda kësaj jave, nëse ka një vazhdim të Kuvendit, të konstituohet Kuvendi dhe potencialisht të votohet qeveria. Pastaj, ushtruesja e detyrës së presidentes, Haxhiu, ka afat kushtetues ta luajë këtë rol deri më 4 tetor. Ndërkohë, mund të provohet zgjedhja e presidentit dhe do të ketë një seancë formale për ta provuar zgjedhjen e presidentit. Në momentin që zgjedhja e presidentit dështon, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe pastaj zgjedhjet duhet të mbahen brenda 30 deri në 45 ditësh.”

Rexha u shpreh gjithashtu se synimi i Vetëvendosjes është mbajtja e zgjedhjeve deri më 27 dhjetor.

“Vetëvendosja është akuzuar nga partitë opozitare dhe nga opinioni publik se po bën gjithçka që të shtyjë konstituimin e Kuvendit dhe tashmë konstituimi i Kuvendit është jashtë afatit kushtetues, që duhet të përfundonte më 7 ose 8 gusht. Ideja është që të shtyhet deri në ditën kur prej asaj date bëhen 45 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Synimi i Vetëvendosjes është që zgjedhjet të mbahen më 27 dhjetor, të dielën e fundit të këtij viti, atëherë kur emigrantët dhe diaspora vijnë në Kosovë”, shtoi ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Serbia abstenoi për hartën e re në OKB, me arsyetimin se Kosova u shfaq si shtet i pavarur

OKB-ja miratoi këtë javë një hartë të re të botës, për të reflektuar madhësinë e vërtetë të Afrikës. 164 shtete votuan pro, vetëm SHBA-ja kundër...
18:43 | 06/09/2026

Emrat e 35 të akuzuarve për vrasjen e Jasharëve

Pozita të larta komanduese të strukturave të njësive speciale të policisë serbe mbanin 35 të akuzuarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës për masakrën e Jasharëve....
19:45 | 04/09/2026

Marrëveshja LVV-LDK, Dehari cakton 9 shtatorin për vazhdimin e seancës

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi i saj do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00....
15:18 | 04/09/2026