Shpërthimet e vullkanit Anak Krakatau kanë shkaktuar kaos në transportin ajror në Indonezi, duke detyruar autoritetet të pezullojnë përkohësisht aktivitetin në tetë aeroporte.
Mbi 150 mijë pasagjerë janë prekur nga situata, ndërsa deri tani janë anuluar ose pezulluar 712 fluturime. Hiri vullkanik është përhapur në hapësirën ajrore dhe ka ndikuar veçanërisht në linjat drejt dhe nga Singapori, por edhe në fluturimet ndërkombëtare për Doha, Sidnej dhe Kuala Lumpur.
Aeroporti Ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakartë ndërpreu operacionet të dielën në mëngjes, pasi hiri u evidentua në hapësirën ajrore. Më pas, masat u shtrinë edhe në aeroporte të tjera, pasi parashikimet treguan lëvizjen e resë së hirit drejt Javës Perëndimore.
Ministri i Transportit, Dudy Purwagandhi, u ka kërkuar kompanive ajrore të shqyrtojnë devijimin e fluturimeve drejt aeroporteve alternative. Operatorëve u është kërkuar gjithashtu të përshpejtojnë rimbursimet dhe të njoftojnë pasagjerët në kohë për ndryshimet, për të shmangur grumbullimet në terminale.
Aktiviteti i Anak Krakatau u intensifikua që prej mbrëmjes së të premtes, me shpërthime të njëpasnjëshme, rrjedhje lave dhe aktivitet të vazhdueshëm sizmik. Dy shpërthime të tjera u regjistruan në orët e para të së dielës.
Sipas autoriteteve meteorologjike, reja e hirit është ngritur deri në rreth 6 mijë metra mbi ishullin Java, ndërsa në drejtim të Sumatrës ka arritur deri në 15 mijë metra lartësi.
Pavarësisht aktivitetit të fortë vullkanik, autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka rrezik për cunami. Ndërkohë, banorëve në zonat e prekura u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të përdorin maska për t’u mbrojtur nga hiri, i cili mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes dhe irritim të syve e lëkurës.
Disa shkolla kanë pezulluar aktivitetet, ndërsa peshkatarët kanë ndalur daljet në det për shkak të kushteve të krijuara. Mediat lokale raportojnë se në disa zona hiri ka rënë në sasi të mëdha, duke kërkuar pastrime të vazhdueshme.
Anak Krakatau, i njohur si “Fëmija i Krakatoas”, është një nga vullkanet më aktivë të Indonezisë. Në vitin 2018, shembja e një pjese të vullkanit shkaktoi një cunami vdekjeprurës, ku humbën jetën më shumë se 400 persona dhe mijëra të tjerë u plagosën ose u zhvendosën.












