Trump ndryshon drejtimin e Ushtrisë së SHBA-së, emëron Adam Telle-n pas largimit të Driscoll-it
Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar Adam Telle-n si sekretar në detyrë të Ushtrisë amerikane, pas largimit të Dan Driscoll-it nga posti.
Telle, i cili deri tani shërbente si ndihmëssekretar i ushtrisë për punët civile, ka një përvojë të gjatë në politikën republikane dhe ka punuar edhe në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit, shkruan A2CNN-i.
Largimi i Driscoll-it vjen mes raportimeve të gjera për tensione me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth. Driscoll nuk dha një shpjegim për dorëheqjen, ndërsa Trump e vlerësoi Telle-n si një “patriot të madh” dhe Hegseth e përshkroi si një figurë të fortë dhe të zgjuar.
Telle merr drejtimin civil të Ushtrisë amerikane në një periudhë të tensionuar, ndërsa SHBA-ja vijon përfshirjen në konfliktin me Iranin dhe ka forca të konsiderueshme të dislokuara në Lindjen e Mesme.

