Paris Saint-Germain ka lëvizur shpejt për sulmuesin egjiptian Hamza Abdelkarim, i cili aktualisht është pjesë e Barcelonës.
Sipas gazetës spanjolle “El Nacional”, trajneri i Parisit, Luis Enrique, ka rekomanduar transferimin e talentit të ri, duke besuar se ai ka të gjitha mjetet dhe potencialin për t’u shndërruar në një prej futbollistëve më të mirë në botë.
Abdelkarim konsiderohet ndër sulmuesit më premtues në qarkullim dhe paraqitjet e tij gjatë fazës përgatitore me Barcelonën kanë tërhequr vëmendjen e trajnerit spanjoll, i cili tani shpreson ta bindë lojtarin të mos rinovojë kontratën në “Camp Nou”.
Enrique është plotësisht i bindur se Hamza do të bëhet një prej numrave 9 më të mirë të dekadës së ardhshme.
Sipas gazetës, trajneri beson se egjiptiani ka potencialin të arrijë nivelin e Zlatan Ibrahimović, Robert Lewandowskit, Edinson Cavanit dhe Erling Haalandit.
Barcelona e di se nuk mund të rivalizojë fuqinë financiare të PSG-së. Klubi francez mund t’i ofrojë 18-vjeçarit një pagë shumë më të lartë.
Edhe aktivizimi i klauzolës së lirimit, e cila është relativisht modeste dhe kap vlerën e 15 milionë eurove, nuk përbën problem për PSG-në.
Barcelona po përpiqet ta bindë lojtarin të nënshkruajë një kontratë të re afatgjatë, përpara se vlera e tij të rritet edhe më shumë.
Laporta dhe Deco nuk kanë dashur të humbin kohë. Prej dy javësh ata janë në bisedime me agjentin e Abdelkarimit për rinovimin e kontratës dhe rritjen e klauzolës së lirimit.
Megjithatë, PSG-ja do të bëjë gjithçka që mundet për ta penguar rinovimin dhe për ta transferuar sulmuesin egjiptian në janar, sipas “Le Parisien”.