Lajmet e fundit
Mbi 50 mijë varre në lagjen "Arbëria" të Prishtinës janë në gjendje të rëndë, ndërsa Komuna e Prishtinës ka nisur planifikimin për rregullimin dhe sistemimin e tyre.
Hapi i parë pritet të jetë regjistrimi i të gjitha varreve në kadastër, përmes koordinatave të sakta.
Liridon Shahini, udhëheqës i Sektorit për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, tha se përmes regjistrimit do të përcaktohet saktësisht vendndodhja e secilit varr dhe identiteti i personave të varrosur.
Projekti parasheh edhe ndarjen e hapësirave sipas komuniteteve fetare, por do të ketë edhe zona të përbashkëta për familjet që u përkasin besimeve të ndryshme. Për realizimin e projektit nuk përjashtohen edhe zhvarrimet.
Nga Bashkësia Islame e Kosovës thanë se kanë zhvilluar bisedime me Komunën, por ende nuk kanë informacion të qartë nëse do të ketë zhvarrime.
Ipeshkvia e Kosovës ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, ndërsa komuniteti protestant kërkon që projekti të rishikohet dhe të parashihen hapësira të veçanta për varrime.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte njoftuar javë më parë se është hapur konkurs ndërkombëtar për projektimin e varrezave të kryeqytetit.