“Mesazh i rrezikshëm” për boshnjakët në Serbi, pas paralajmërimit për varrimin e Ratko Mladiçit me nderime

1 Shtator 2026 | 14:23

Paralajmërimi se ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladiç, mund të varroset në Serbi me nderimet më të larta shtetërore ka shkaktuar reagime të ashpra në mesin e komunitetit boshnjak në vend.

Ministri i Turizmit dhe Rinisë i Serbisë, Husein Memiç, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk do të marrë pjesë në një ceremoni të tillë. Ai ka theksuar se Mladiçi është dënuar nga Tribunali i Hagës dhe se, sipas tij, “nuk duhet të flitet më asnjë fjalë” për të, shkruan KosovaPress.

Reagimet erdhën pas deklaratës së ministrit serb të Drejtësisë, Nenad Vujiç, i cili kishte paralajmëruar se Mladiqi do të varrosej në Serbi “me nderimet më të larta shtetërore”. Megjithatë, Qeveria e Serbisë, Ministria e Drejtësisë dhe Presidenca nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për sqarime lidhur me këto paralajmërime.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç më 28 gusht deklaroi se Mladiçi do të varroset aty ku dëshiron familja e tij dhe se autoritetet serbe aktualisht nuk kanë informacione për ceremoninë.

Këshilli Kombëtar Boshnjak e ka dënuar paralajmërimin për varrimin e Mladiçit me nderime shtetërore, duke e cilësuar atë si një “mesazh të rrezikshëm” për boshnjakët. Këshilli ka kërkuar nga zyrtarët që të mos glorifikojnë një person të dënuar për krime lufte.

Edhe nga Zbori i Qytetarëve të Novi Pazarit, një organizatë joformale e krijuar gjatë protestave studentore, e kanë cilësuar paralajmërimin për nderime shtetërore si “të tmerrshëm”.

“Nuk mund t’u kërkosh boshnjakëve besim në institucione dhe në të njëjtën kohë t’i japësh njohje shtetërore një njeriu të dënuar për gjenocid ndaj popullit të tyre”, thuhet në reagimin e tyre për RSE.

Avokati nga Novi Pazari, Ahmed Delimegac, ka shprehur frikën se varri i Mladiçit mund të shndërrohet në një mauzole. Sipas tij, kjo do të ishte vazhdimësi e një politike të forcimit dhe glorifikimit të krimeve të luftës.

Ratko Mladiçi, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua në vitin 2021 nga gjykata në Hagë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen e dhunshme të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Gjykata e Hagës e shpalli fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8 mijë boshnjakëve në Srebrenicë gjatë verës së vitit 1995. Ai u shpall fajtor edhe për një sërë krimesh të tjera, përfshirë vrasje, dëbime, përndjekje dhe sulme ndaj civilëve.

Komisioni Evropian ka deklaruar më 28 gusht se u takon autoriteteve serbe të përcaktojnë rolin që do të kenë në varrimin e Mladiçit, por ka theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane.

Ndërkohë, vdekja e Mladiçit ka nxitur edhe reagime në stadiumet e Serbisë dhe Republikës Srpska. Në disa ndeshje janë shfaqur fotografi dhe pankarta në nderim të tij, ndërsa tifozë kanë brohoritur emrin e ish-komandantit të dënuar për krime lufte.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Serbia abstenoi për hartën e re në OKB, me arsyetimin se Kosova u shfaq si shtet i pavarur

OKB-ja miratoi këtë javë një hartë të re të botës, për të reflektuar madhësinë e vërtetë të Afrikës. 164 shtete votuan pro, vetëm SHBA-ja kundër...
18:43 | 06/09/2026

Greqia jep nga 400 euro për 2.2 mln pensionistë pa kritere financiare  

Shteti grek ka ndërmarrë disa nisma të reja për të ndihmuar qytetarët. Pensionistët janë një nga kategoritë përfituese. Mësohet se duke filluar nga ky nëntor...
14:17 | 06/09/2026

Mitsotakis premton ulje taksash dhe pagë minimale prej 1 000 eurosh deri në vitin 2028

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar një plan katërvjeçar për të ulur taksat dhe për të rritur pagën minimale, një lëvizje që vjen përpara zgjedhjeve...
09:34 | 06/09/2026