Ditari i Opozitës

Berisha nga SHBA: Qeveria teknike, e vetmja rrugë për zgjedhje të lira

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka vendosur në qendër të fjalimit të tij me shqiptarët në Nju Xhersi kërkesën për krijimin e një qeverie teknike, duke e cilësuar atë si të vetmen zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Berisha akuzoi qeverinë se ka ndërtuar një sistem të kontrolluar nga administrata, grupet kriminale dhe manipulimi i votës. 

Në këtë kuadër, lideri i opozitës tha se largimi i Edi Ramës dhe ngritja e një qeverie teknike janë të domosdoshme për të rikthyer besimin te procesi zgjedhor. Berisha theksoi se një qeveri e tillë duhet të ketë si mision kryesor garantimin e zgjedhjeve, pastrimin e administratës nga ndikimi politik dhe krijimin e kushteve për një garë të barabartë.

Ai përsëriti gjithashtu akuzat ndaj qeverisë për largimin masiv të shqiptarëve, krizën ekonomike dhe lidhjet e pretenduara me krimin e organizuar. Sipas Berishës, ndryshimi politik duhet të nisë me krijimin e një qeverie teknike që do t’i hapte rrugë një procesi zgjedhor të besueshëm.

BASHKËBISEDIMI ME SHQIPTARËT NË NJU XHERSI:

Drita Gosturani: Përshëndetje doktor Berisha. Të uroj gjithë të mirat dhe mirë se erdhet në vendin që ju e vutë këmbën i pari për demokracinë e gjithë Shqipërisë. Doktor, ju u kthyet në vendin e lirisë dhe me shumë dashuri gjithë diaspora po të jep atë që ti e meriton, atë që ju e keni dhënë për diasporën. Nuk do të doja doktor në asnjë moment që të humb asnjë minutë të gjithë këtyre njerëzve që dojnë të pyesin apo të japin mendimet e tyre. Dhe unë po ju drejtoj një pyetje. Ju doktor Berisha, me ardhjen tuaj në pushtet, a do të ketë përfaqësues nga diaspora për të përfaqësuar gjithë këtë demokraci që ka ky popull, gjithë këtë demokraci që i nevojitet qeverisë tuaj, e vendit tonë, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e atij vendi aq të madh, aq të madhërishëm që është Shqipëria, një pikë e vogël me të gjitha të mirat e Zotit. Po që shumë njerëz po mundohen t’ia humbasin. Ju jeni i mirëpritur tek ne përjetë, por ju duhet të na mbështesni diasporën, me përfaqësues të tyre. Kaq doktor Berisha, të uroj edhe një herë me zemër, mirë se ardhjen.

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Ju garantoj se pa asnjë mëdyshje do të ketë nga diaspora dhe qëllimi ynë ndër më madhorët do të jetë rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri. Ato vite që qeverisëm, ne kemi patur dy programe.

Një program e quanim Brain Gain, me të cilin ne ia dolëm të rikthejmë në Shqipëri me dhjetëra e qindra individë nga vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilët erdhën me disa lehtësira. Lehtësira jo të rëndësishme, të vërteta, por që patën një rol pozitiv.

Dhe arritëm në administratë nga 1% të diplomuar në shkollat perëndimore banues në diasporë, kjo shifër arriti në 24-25%. Pra një rritje e domosdoshme. Sot ne po riorganizohemi pikërisht në të gjitha vendet në mënyrë që të krijojmë një lidhje më organike me diasporën. Shqipëria e ka të domosdoshme kontributin, softin e diasporës shqiptare. Unë jam optimist.

Akil Seci: Përshëndetje! Akil Seci, biznesmen në ndërtim në Amerikë nga Tropoja. Kam atë mbiemrin Seci dhe në emër të familjes jam shumë krenar që ti arrite ta pastrosh emrin tënd dhe të tregosh gjithë botës që je figura më e pastër politike që ka pas Shqipëria në 30 vjet demokraci.

Kam nja dy pyetje për ty. Dëgjesa e parë the se qeveri teknike, të iki Edi Rama dhe të rrëzojmë pushtetin sa më shpejt. Doktor, koha po kalon shumë shpejt dhe u bënë shumë vjet që qeveria e Edi Ramës akoma sundon në Shqipëri. Me dy kryeministra të korruptuar, çfarë s’ndodh askund në botë, me zëvendëskryeministra dhe prapë kryeministri me vazhdu punën.

Çfarë do bësh ndryshe doktor pas kësaj mbledhjeje që kemi këtu në Amerikë, kur të kthehesh që të rrëzosh qeverinë e Edi Ramës? Dhe a e keni menduar akoma emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës? Shumë faleminderit.

Sali Berisha: Pyetje e shumë e drejtë. Mendoj se po të analizosh qeverisjen 30 vjeçare të Edi Ramës, problemin më madhor në të cilën ai pastaj tejkalon çdo lloj kufiri dhe limiti, është shkërmoqja e ligjit dhe kushtetutës.

Një qeveritar që betohet në Kushtetutë duhet t’i përmbahet ligjit me të gjitha përpjekjet e tij… Nuk ka asgjë të dobishme për qytetarët, të rëndësishme, do t’jau ilustroj këtë me një shembull nga jeta ime jo kaq pozitiv. Në vitin 97, piramidat të cilat realisht nuk i njihnim, krijuan një krizë të thellë e të madhe.

Socialistët u thanë qytetarëve që ato para i ka marrë qeveria. Qeveria nuk kishte prekur një qindarkë, jo absolutisht. U them bashkëpunëtorëve të mi, se përderisa shqiptarët mendojnë se jua kemi marrë paratë ne, nuk mund t’i qeverisim. Nuk duhet të pranojmë t’i qeverisim. Duhet të dalim në opozitë, t’ua faktojmë që s’kemi prekur një qindarkë dhe pastaj le ta gjykojnë vetë ata.

Mirë, e bëmë atë. U bë fushata. Në fushatë Fatos Nano shkonte nga salla në sallë dhe u thoshte që do t’ju kthej çdo qindarkë. Sali Berisha u tha: miq, borxhi është i vjetër sa njeriu, nuk ka ligj në botë që të lejon të njohësh borxhin që nuk e ke marrë. Nuk i kemi marrë paratë. Ju them juve me sinqeritet, këtu se shumë herë e kam pyetur dhe veten time.

Unë mund t’jua ktheja ato lekë atyre, po! Dhe qëndroja në pushtet, po po t’i ktheja paratë bëja një veprim të paligjshëm. Merrja paratë e atij që s’kishte futur një qindarkë dhe ia jepja atij tjetrit. Nuk e bëra atë. Zbatova ligjin! Zbatova ligjin në kushte tmerrësisht të vështira, po pas katër vitesh shqiptarët votuan për Partinë Demokratike. Edhe në 2005. Ky e ka lënë vendin tërësisht pa ligj, e ka lënë si me theksin që thotë, mjet të dobishëm.

Krimi u duhet për të realizuar ato që s’i lejon ligji. Dhe bandat në të katër anët… Më pyesnin mua qytetarët, çfarë do bësh ti me këtë? Ligjin u thosha unë. Ligjin do u tregoj unë atyre. Po ku e ke… me kë do ja tregosh? Me këta policë, me këta që janë? E vërteta është kjo që nuk ishin policë që s’donin të zbatonin ligjin, ishin politikanë që nuk i lejonin të zbatonin ligjin. Dhe më thonë mua ata, kur ua ngarkova detyrat, le të kemi një kërkesë… Çfarë kërkese zotëri, u them atyre. Kërkesa është që po ta nisim këtë betejë mos na pengojë askush, të mos na ndalojë askush të zbatojmë ligjin. Dhe ata zbatuan ligjin dhe në 18 muaj, 1050 banditë bosë, kudo që ishin i vendosën para ligjit.

Ndaj dhe ndaj deklarova këtu: zero tolerancë ndaj krimit e karteleve. Absolutisht kudo që të jenë, nga Afrika, në Amerika e Jugut dhe kudo që të ndodhen do përballen me ligjin në Tiranë. Për kandidatin për Bashkinë e Tiranës akoma nuk është i konkretizuar. Do bisedojmë edhe me aleatët, me të tjerët, do përpiqemi t’i japim qytetit kandidatin më të shkëlqyer që ka pasur ndonjëherë.

Harry Bajraktari: Doktor Berisha, mirë se keni ardhë në Amerikë. Uroj në udhëtimin e juaj sukses dhe ekipit juve për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e vendit. Falënderoj të gjithë që keni marrë pjesë sot me doktor Berishën këtu, na keni nderuar të gjithë. Kam një pyetje për ju. Konkretisht, çfarë do bëjë komuniteti për të bërë për Partinë Demokratike, për të ardhë në pushtet në Shqipëri prej sotit? Teknikisht, e di se duhet të votojë, po çfarë të bëjmë para votimit? Para se të vjen vakti për me votu? Para se të udhëtosh për në Shqipëri? Konkretisht, çfarë ka qenë e mirë të organizohen gjithë ky popull për të mirën e vendit dhe për të mirën e Partisë Demokratike dhe për ju? Suksese të gjitha të mirat, ju rritët ndera, rritët ndera.

Sali Berisha: Njëherë të falënderoj me mirënjohje shumë Zoti Bajraktari për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm që ke dhënë dhe jep në çështjen kombëtare, interesi yt që tregon në mënyrë të vazhdueshme për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri.

E vërteta është që komuniteti, diaspora, në këtë vend, mund të japë një ndihmë të gjithanshme, jashtëzakonisht të rëndësishme. Për ne, rëndësia më e madhe është të paraqesim siç është realitetin ynë në këtë vend. Konstatoj me kënaqësi se nga mesazhet që kanë ardhur, një ndryshim në vlerësim ekziston.

Sekretari Rubio nuk përgëzoi Edi Ramën në zgjedhjet e fundit. Departamenti Shtetit, zëdhënësi i tij i tha gazetarit të Shtëpisë së Bardhë se sekretari Rubio uron vetëm ata që fitojnë zgjedhje të lira. Dhe kjo ishte një ndihmë e madhe për ne.

Angazhimi juaj, i diasporës, me përfaqësuesit tuaj në Kongresin dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara, me institucionet e këtij vendi, vetëm për të paraqitur realitetin është një ndihmë shumë e madhe.

Mesazhi juaj për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë është një ndihmë e madhe. Mobilizimi juaj që të votojmë masivisht për largimin e Edi Ramës. Pra, në fakt roli është jashtëzakonisht i madh dhe i pazëvendësueshëm.

Eri Bramellari: Doktor Berisha, përshëndetje, mirë se na ardhët. Unë jam Eri Bramellari, kam vetëm një pyetje: Si do ta asgjësojmë këtë qeverinë e krimit dhe të bandave të krimit? Faleminderit.

Sali Berisha: Kjo qeveri bën gjithçka për të qëndruar në pushtet. Ju siguroj se, në qoftë se dëgjuat që në atë dosje, McGonigal kishte 36 vjet të përcaktuara në kod, dosjet e Edi Ramës janë absolutisht me qindra.

Nuk besoj kurrë të ketë patur një kryeministër në një vend që të ketë firmosur në mënyrë të paligjshme si ai. Dhe të besojmë se ai do të dorëzojë pushtetin me votë, mashtrojmë veten tonë. Kjo është e vërteta. Por ne jemi përpjekur, që të paraqesim së pari të vërtetën.

Sepse ai kishte arritur, me lobingje… Edi Rama është njeriu më transaksional. Po ju jap një shembull. Shoh unë një ditë, ky fliste në një forum ndër më prestigjiozët të një vendi. Marr shoh forumin unë, kryetari i forumit paguhej këshilltar i tij.

Në fakt, të themi të vërtetën, ai nuk do të ishte këshilltar i Edi Ramës, por ja që ishte. Ai e bazoi qeverisjen e tij në lobingje të jashtëzakonshme. Ai kontraktoi kryeministra, shefa të shërbimeve inteligjente, ndër të cilët të Sigurimit e të tjerë në funksion të propagandës së tij.

Por, është arritur që këto zgjedhje të quhen farsë. Është arritur… janë bërë hapa të rëndësishme në drejtim të ndërgjegjësimit të narkoshtetit. Pra, duhet një punë e madhe në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të fitojë vetëdijen që ky është një Rama-Maduro.

Pastaj, mos harroni, duhet një mobilizim kombëtar total për largimin e tij.

Eduart Elezi: Doktor Berisha, përshëndetje, mirë se na erdhe. Unë jam Eduart Elezi, ekspert i energjisë elektrike tek Partia Demokratike. Doja që të bëja një pyetje: Duke e ditur që në Shqipëri bandat nuk janë vetëm banda, por janë kthyer dhe në biznesmenë dhe kanë investuar me paratë e krimit në shumë sektorë. Si e mendon Partia Demokratike mobilizimin e këtyre bandave dhe investimet e tyre të realizuara që të cilat janë konform, në kundërshtim me çdo ligj, dhe me çdo akt tjetër ligjor që ka vendi jonë. Si do të arrestojmë këtë qeverinë e krimit dhe të bandave të krimit? Faleminderit.

Sali Berisha: Faleminderit Eduard për pyetjen. Partia Demokratike do t’u tregojë të gjithë forcën, rreptësinë e ligjit bandave, karteleve. Zero tolerancë ndaj tyre.

Por një agjenci kombëtare do të krijohet kësaj here, për të gjetur, identifikuar, konfiskuar dhe dorëzuar fondit publik të gjitha pasuritë e qeveritarëve.

Janë miliarda, janë miliarda të gjitha pasuritë e organizatave kriminale, të gjitha pasuritë e paligjshme të tyre.

Në qoftë se nuk goditen pasuritë e tyre të paligjshme, lufta kundër krimit është iluzion dhe jo realitet. Ndaj dhe ne do krijojmë një agjenci të veçantë vetëm për pasuritë e tyre.

Qytetare: Përshëndetje doktor Berisha, mirë se erdhet mes shqiptarëve të Amerikës. Edhe ne, pse jetojmë larg, një pjesë e zemrës tonë është në Shqipëri. Këtu afër meje kam fëmijët e mi, ashtu siç po shoh shumë prindër kanë marrë fëmijët e vet me vete. Të lutem, desha të di, dhe dua një mesazh shumë të fortë për fëmijët tanë, që mos ta shohin Shqipërinë si vendin e prejardhjes së prindërve të tyre. Ato po shkollohen këtu dhe shpresa ime dhe detyrimi im si prind është që një ditë ato të kthehen dhe të kontribuojnë në atdheun e tyre. Të lutem doktor Berisha, një mesazh shumë të fortë sepse i kam fëmijët afër dhe dua që ato të kenë një arsye shumë të fortë që të kthehen në Shqipëri. Faleminderit.

Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen dhe është shumë e reale, shumë e vërtetë. Tani cila ishte eksperienca jonë?

Ne vendosëm një sistem stimulues, me të cilin në vitet 2008, 2009, 2012, u rikthyen në Shqipëri 180,000 emigrantë kryesisht të rinj.

Mendoj se pa një sistem masash të qarta lehtësuese, punësimi, kreditimi, favorizime për bizneset, ftesa nuk do kishte kuptim.

Por një gjë dua të theksoj: me këtë shok të tmerrshëm demografik që ka pësuar, rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri është i vlefshëm për çdo çmim.

Dhe ky do jetë parimi mbi të cilin ne do vendosim politikat e rikthimit.

Të fundit