Si ia ngatërroi klinika private rezultatet e ekzaminimit një pacienti nga Podujeva dhe e shpalli me kancer?

Në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi i cili shpërfaq se si një qytetari nga Podujeva klinika private “Aloka” në Prishtinë ia kishte ngatërruar rezultatet e MRI-së.

Enver Halimi nga Podujeva për dhjetë ditë iu nënshtrua kontrolleve dhe ekzaminimeve të thella në trupin e tij me dyshimin se kishte kancer.

E tërë historia e tij e frikës dhe kontrolleve nisi nga një gabim teknik të cilin klinika “Aloka” në Prishtinë e kishte bërë në kumtimin e rezultateve të një fotografimi të thellë me rezonancë magnetike.

Rezonanca magnetike është një fotografim i thellë i cili llogaritet të sjellë një pasqyrë të qartë për shëndetin e pacientëve.

Me një rekomandim të mjekut pas dhimbjeve të boshtit kurrizor Halimi ishte paraqitur në klinikën private “Aloka” për të realizuar incizimin e thellë.

Pasi kishte dhënë të dhënat e tij personale Halimi kishte paguar faturën dhe kishte realizuar incizimin me rezonancën magnetike.

Sipas rregullave, kjo analizë kërkon përpunim dhe kohë deri në 24 orë. Halimi ishte drejtuar në shtëpi për të pritur analizat.

“Unë kam shku në ‘Aloka’ për më bë incizimin e unazave, kam telashe me boshtin kurrizor. Kemi shku me djalin atje. I kemi dhanë shënimet, me letërnjoftim me numër telefoni. E kemi bërë incizimin. Kur e kemi bërë na kanë liru aty. Raportin na thanë që na dërgojnë me email brenda 24 orëve”- tregon Halimi.

Nga klinika private 24 orë më pas Halimi kishte pranuar një raport, i cili e kishte shqetësuar atë dhe familjen e tij.

Raporti me analizën përmbante emrin dhe mbiemrin e tij ndërsa rezultati tregonte për një prezencë të një kanceri.

Sipas asaj që do dilte në fund të dramës Halimi kishte emrin dhe mbiemrin e njëjtë me një pacient tjetër të klinikës private, i cili kishte kryer analiza në këtë klinikë.

Halimi nuk kishte kontrolluar të dhënat e tjera si data e lindjes apo numri i letërnjoftimit por me rezultatin në dorë kishte shkuar në  emergjencën në Podujevë.

Nga aty me këtë analizë pa u kontrolluar të dhënat e tjera Halimi udhëzohet të shtrihet menjëherë në  Klinikën e Gastrologjisë.

Në klinikën specialistike Halimi ka qëndruar 10 ditë, duke kryer ekzaminime të ndryshme pas rezultateve që kishte pranuar nga klinika private “Aloka”.

“Në atë moment kemi shku e kemi marrë udhëzimin të Emergjenca në Podujevë, e kemi shku në Urgjencën në Prishtinë. Aty dalshin disa shenja të kancerit, të tumorit, lloj-lloj shenjash. Kemi shku në Emergjencën e Prishtinës. Ata na dërgun të mjeku i gastrologjisë, te Hekuran Dibrani. Ai na pranoi. Jam shumë mirënjohës ndaj tij. Aty kanë vazhdu me terapi, me kamera në zorrën e trashë, me mushkëri, ma kanë fotografu, lukthin, mëlçinë, veshkat. Nuk kanë lënë analizë pa më bë”- deklaron Halimi.

Analizat të cilat u realizuan kishin rrezatime dhe janë analiza me proces të gjatë të kontrolleve.

Mjekët specialistë kontrolluan çdo pjesë të trupit të Halimit për të verifikuar nëse ajo çka tregonte rezonanca ishte e saktë.

Vetëm pas 10 ditësh pas kryerjes së një sërë analizash, Halimi thot se mjekët kishin arritur të vërenin që diçka nuk është në rregull dhe kishin kërkuar nga ai që të shikonte dhe një herë rezultatet e klinikës private “Aloka”.

“Një ditë pa u liru nga spitali u dal që nuk janë ato shenja të tumorit qysh e kanë cekur këta në raport. I kanë thënë djalit: “Shko në ‘Aloka’ edhe një herë. Prej datës 05.08.2026 deri më datën 14.08.2026 kam qëndruar shtritë në spital”- rrëfën Halimi.

Në ditën e 9-të të qëndrimit në QKUK mjekët konstatuan se Halimi nuk kishte shenja të kancerit dhe për verifikim e riudhëzuan pacientin të kontrollonte edhe një herë rezultatet nga klinika private.

Halimi ishte i shtrirë në spital ku po ekzaminohej për kancer. Ai e dërgoj djalin e tij djali e tij të ri-kontrollonte rezultatet në klinikën Aloka.

“Kur e kanë printu raportin kanë dalë me raport tjetër, ka dalë ndryshim i madh, diagnoza të tjera krejt. Këto diagnoza që m’i kanë dhënë janë të një pacienti tjetër, me emrin e njëjtë. Djali ka kërku në ‘Aloka’ që t’ia japin numrin e pacientit që ta ftoj me i marrë rezultatet, nuk i ia kanë dhënë. Mjekët e kanë konstatu që unë jam vetëm i maltretuar nga ‘Aloka’”- tha Halimi.

Për ta sqaruar situatën, KALLXO.com ka kontaktuar klinikën private “Aloka” për të marrë një përgjigje për pretendimet e Enver Halimit.

Ata thonë se pacienti ka mundur të verifikojë vetë se raporti i është dhënë gabim.

“Më datë 03.08.2026, në Spitalin ALOKA janë paraqitur dy pacientë të ndryshëm me emrin dhe mbiemrin Enver Halimi. Njëri prej tyre ka kryer MRI të shtyllës lumbosakrale, ndërsa personi tjetër ka kryer MRI të abdomenit dhe pelvikut. Çdo raport radiologjik i lëshuar nga institucioni ynë përmban në pjesën e sipërme të dokumentit të dhënat identifikuese të pacientit, përfshirë datën e lindjes dhe adresën, si dhe llojin e ekzaminimit të kryer. Në dokument, data e lindjes dhe adresa nuk përputhen me të dhënat e z. Enver Halimi për të cilin na keni kontaktuar, pasi bëhet fjalë për një person tjetër me të njëjtin emër dhe mbiemër. Data e lindjes është një e dhënë personale të cilën secili pacient e njeh dhe mund ta verifikojë menjëherë. Po ashtu, dokumenti i referohet MRI-së së abdomenit dhe pelvikut, ndërsa z. Halimi e ka ditur se ekzaminimi që kishte kryer ishte MRI e shtyllës lumbosakrale. Z. Halimi më pas ka marrë nga institucioni ynë raportin e MRI-së së shtyllës lumbosakrale, i cili përkon me ekzaminimin e kryer dhe të dhënat e tij personale”- thuhet në përgjigjen e “Aloka”.

Pacienti Halimi në intervistën për KALLXO.com ka paralajmëruar se do iniciojë padi ndaj klinikë “Aloka”.

KALLXO.com ka kontaktuar me Inspektoratin Shëndetësor por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

www.kallxo.com